Vepra letrare e Migjenit përkthyer në gjuhë të huaja. –
Vepra letrare e Migjenit përkthyer në gjuhë të huaja.
Nga: Jup Kastrati
Nikolaj Moraru, shkrimtar dhe kritik rumun, ka shkruar: “Kam qarë kur kam lexuar Migjenin. Nuk më vjen turp të them se qava, por më vjen turp të them që vetëm tani, në moshën dyzetvjeçare, munda ta njoh këtë poet të mrekullueshëm.”
Vepra letrare e Migjenit tashmë ka hyrë në thesarin e kulturës ndërkombëtare. Poezitë dhe prozat e poetit të shquar janë përkthyer në tetëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Migjeni gjendet në botime të plota ose të pjesëshme, në vëllime të veçanta me emër të tij ose ndër përmbledhje prozash apo antologjishë në këto gjuhë; gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, spanjisht, rusisht, ukrainisht, bullgarisht, lituanisht, greqisht, mongolisht, turqisht, arabisht, vietnamisht, serbokroatisht, maqedonisht dhe në gjuhën kineze. Për të parën herë, vepra e tij filloi të njihet në formë fragmentare në një gjuhë të huaj pikërisht në gjermanisht, më 1948, përmes përkthimit të “Lulit të vocërr”, që u bë nga albanologu i mirënjohur Prof. Dr. Maksimilian Lambertz, në librin e tij “Lexime shqiptare”, botuar në Lajpcig. Ky dashamirës i madh i popullit, i vendit dhe i gjuhës sonë, përsëri më 1955 i dha botës gjermane dhe gjithë atyre që e njohin gjermanishten, dy përkthime klasike nga Migjeni: “Mollë e ndalueme” dhe “Të çelen arkapijat”, në librin “Krestomaci shqiptare” botuar në Berlin. Botimi i këtyre tri prozave të bukura në mijëra kopje tirazh e ka popullarizuar Migjenin në Perëndim si një nga prozatorët tanë më të shquar. Nga ana kronologjike e botimeve të poetit tonë në gjuhë të huaja duhet të përmendim këtu përkthimet që bëri Prof. Vehbi Bala në rumanisht, në librin “Novela shqiptare”, botuar në Bukuresht më 1950, në 5 300 kopje tirazh. Aty janë përfshirë pesë proza të Migjenit: “Moll’ e ndalueme”, “Zeneli”, “Legjenda e misrit”, “Qershijat” dhe “Programi i një reviste”. Pas nëntë vjetësh, më 1959 u përkthyen në rumanisht nga Polizu Miksuneshti edhe gjashtë poezi të Migjenit, nga të cilat po përmendim “Shkëndija” dhe “Poema e mjerimit”, që u botuan në librin “Antologjia e poezisë shqipe”, shtypur në Bukuresht. Nën titullin “Moll’ e ndalueme”, albanologu i mirënjohur rumun Prof. Grigore Brënkush, iu paraqet lexuesve rumun një përmbledhje të prozave të Migjenit, të shoqëruar me një parathënie të gjerë. Poezia e Migjenit, thuhet aty, është shkruar “në linjën e poezisë realiste shqipe”. Vëllimi përmban 23 shkrime në prozë të Migjenit. Përkthimi është bërë me kujdes e dashuri. Prof. Grigore Brënkush, duke u mbështetur në një njohje të mirë të gjuhës shqipe, të brendive ideore dhe të veçorive të stilit të Migjenit, ka ditur të japë me besnikëri idetë e thella dhe artin e madh të Migjenit. Në frëngjisht, një punë të vyer e me ndërgjegje, ka bërë Kolë Luka. Që më 1953 ai përktheu në këtë gjuhë “Poemën e mjerimit” (jo të plotë, por në pjesën më të madhe), si edhe “Kangën e rinisë”, të cilat i botoi në revistën “Francë – Shqipëri”. Tri vjet më vonë, më 1956 ai përktheu edhe dy poezi të tjera: “Recital i malsorit” dhe “Të birtë e shekullit të ri”, të cilat i botoi në të përkohshmen “Shqipëria e re”. Më 1959 ai botoi “Kangët e pakëndueme” në revistën “Francë – Shqipëri”. Ndër këto dy organe ai përktheu e botoi edhe poezi të tjera të Migjenit. Por puna më e vlefshme që bëri Kolë Luka është përkthimi i Migjenit në frëngjisht, pothuajse i plotë, titulluar: “Vepra të zgjedhura”, botuar në Paris, më 1961, me një hyrje mbi jetën e veprat e poetit nga Prof. Dr. Skënder Luarasi. Vëllimi ka Brenda 36 poezi dhe 19 proza. Nën titullin “Poema”, në serinë e botimit të autorëve të letërsisë së vendeve të ndryshme të botës, në Paris më 1965 u botua një përmbledhje thuajse e plotë e gjithë krijimit poetik të Migjenit. Lexuesit francez i vjen në ndihmë të kuptojë karakterin e kësaj poezie dhe kushtet që e linden atë, parathënia e Andrea Varfit me të cilën çelet kjo përmbledhje. Përkthimi i poezive është bërë nga Kolë Luka. Përkthimi në frëngjisht është i goditur dhe i rrjedhshëm, gjë që e ka dhënë me saktësi idenë poetike të krijimit migjenian. Në vitin 1954, Prof. Koço Bihilu përktheu në ukrainisht: “Moll’ e ndalueme”, “Bukurija që vret”, “Qershijat”, “Legjenda e misrit” dhe “A doni qymyr zotni?”. Këto pesë proza gjenden të botuara në librin “Tregime shqiptare”, botuar në Kiev në 15 000 kopje tirazh. Vëllimi përmban shkrime edhe të prozatorëve të tjerë shqiptarë të letërsisë sonë të re. Po në vitin 1954, Migjeni u përkthye edhe në rusisht. Në fillim ai u botua pjesërisht në librin “Poezia shqipe”, botuar në Moskë. Këtu gjenden shtatë poezi të Migjenit: “Kanga skandaloze”, “Baladë qytetëse”, “Ekstazë pranverore”, “Kangët e pakëndueme”, “Kanga e rinisë”, “Kangë në vete”, “Poema e mjerimit”, përkthyer në rusisht nga D. Samojllov. Libri që përmban poezi dhe të autorëve të tjerë shqiptarë u shtyp në 10 000 kopje tirazh. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së Migjenit në gjuhën ruse e ka parë dritën e botimit në vitin 1954, në vëllimin “Vepra të zgjedhura”, botuar në Moskë, në 30 000 kopje tirazh. Nga poezia e autorit në vëllim janë përfshirë vjershat e botuara në përmbledhjen “Vargjet e lira”, botuar në Tiranë, më 1944; gjithësej 36 poezi, nga 41 poezi që i njihen poetit deri më sot. Vëllimi në rusisht përmban edhe 18 shkrime në prozë, tregime e skica. Përkthimi në përgjithësi është i një cilësie të mirë, (veçanërisht përkthimi i prozave) dhe arrin të riprodhojë me saktësi veçoritë kryesore ideo-artistike të veprave të shkrimtarit. Në vitin 1956 u përkthyen për të parën herë katër poezi të Migjenit në gjuhën kineze dhe janë pikërisht këto: “Të birtë e shekullit të ri”, “Kanga e rinisë”, “Zgjimi”, “Shkëndija”.
Profesor Jup Kastrati.
Ato u botuan në revistën “Letërsia e huaj”. Në gjuhën kineze ka edhe një përmbledhje veprash të Migjenit, por unë nuk e kam parë këtë botim, prandaj nuk e njoh titullin e librit dhe çfarë përmban. Informacionin ma ka pasë dhënë shkrimtari Fatmir Gjata, këtu e 25 vjet më parë, më 1961. Në vitin 1957, në Romë, shoqëria italiane për marrëdhënie kulturore me shqipërinë botoi italisht, nën titullin “Legjenda e misrit”, një përmbledhje pjesësh të zgjedhura nga Migjeni. Libri përmban pesë proza: “Luli i vocërr”, “Zeneli”, “Legjenda e misrit”, “Qershijat”, “A doni qymyr zotni?” dhe gjashtë poezi: “Të birtë e shekullit të ri”, “Poema e mjerimit”, “Zgjimi”, “Kanga e rinisë”, “Kangët e pakëndueme” dhe “Recital i malsorit”. Në vitin 1962 u botua në Tiranë vëllimi italisht me titull: “Poezi dhe proza”, 186 faqe. Përkthimi i bërë nga Jolanda Kodra është i kujdesshëm dhe ka arritur të rijapë frymën e tij në një italishte të pastër e të rrjedhshme. Në mënyrë të veçantë ka dalë i realizuar përkthimi i vjershave, ku është ruajtur ritmi e metrika e origjinalit, pa u cënuar vlera poetike e tyre, madje mund të thuhet se disa nga ato janë krijime të vërteta. Një vërejtje që mund t’i bëhej përkthimit të krijimeve poetike është kjo: vargu i lire dhe i ashpër i Migjenit është bërë deri diku më i lëmuar në italisht, megjithëse nuk e ka humbur forcën e vet. Prozat janë përkthyer me një stil të shkathët e dinamik dhe në një gjuhë të qartë. Në tërësi mund të thuhet se kemi të bëjmë me një nga përkthimet më të mira në gjuhë të huaj të veprës së Migjenit. Në italisht Migjeni është përfshirë edhe në një “Antologjia lirike” e poezisë së re shqiptare kontemporane, vëllim i botuar në Romë. Për herë të parë Migjeni u njoh në Bullgari përmes vëllimit: “Këngë mbi shqiponjat”, antologji e poezisë revolucionare shqipe, Sofje 1957. Më 1958, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së Migjenit, në bullgarisht u botua një vëllim me 134 faqe, shtypur bukur dhe me kujdes. Përmban 36 poezi të Migjenit të përkthyera nga poeti Marko Gançev dhe 18 proza të përkthyera nga Marina Marinova. U botua në 3 000 kopje tirazh nga Shtëpia Botuese “Kultura Popullore”, e cila ka bërë edhe një shënim të favorshëm për poetin. Vepra ka edhe një parathënie me titull: “Një poet i madh”, shkruar me shumë ngrohtësi. Në vitin 1958 Migjeni u botua, pothuajse i plotë në mongolisht në një vëllim të veçantë në Ulanbatar. Libri ka 168 faqe, përmban 36 poezi dhe 18 proza. Është shtypur në 10 000 kopje tirazh dhe është përkthyer nga G. Damgin. Po në vitin 1958, vepra letrare e Migjenit u botua edhe në lituanisht, në Riga. Përkthimi është bërë nga rusishtja në lituanisht prej Jeronims Stulpans. Libri ka 168 faqe dhe përmban 36 poezi dhe 19 proza të Migjenit. Është botuar në një tirazh prej 10 000 kopjesh. Në anglisht trashëgimia letrare e Migjenit filloi të përkthehet më 1959. Në botimin e veçantë kushtuar Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit, u botuan të përkthyera në anglisht nga Ali Cungu nëntë pjesë të Migjenit, nga të cilat po përmendim: “Luli i vocërr”, “Legjenda e misrit”, “Idhujt pa krena”, “Poema e mjerimit”, “Ekstazë pranverore”, “Recital i malsorit”. Në serinë e veprave të autorëve tonë në gjuhë të huaja, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” më 1963 ka botuar një vëllim anglisht të poetit të përmendur Migjeni, përkthyer nga Ali Cungu. Në këtë vëllim prej 144 faqesh është përfshirë pjesa më e madhe e veprave të Migjenit. Ndërsa në prozë përkthyesi ka mundur të japë forcën dhe madhështinë e shkrimtarit, në poezi ai nuk e ka pasur të njëjtin sukses, për arsye se, duke dashur t’iu japë poezive një formë “klasike”, ka cënuar përmbajtjen. Libri përmban 35 poezi dhe 18 proza. Në vitin 1961, Migjeni u përkthye në spanjisht nga Leo Prela. Vepra titullohet “Poezi dhe proza”. Është përmbledhur nën redaktimin e Prof. Dr. Skënder Luarasit. U botua në Kubë. Ka pothuajse të gjitha poezitë e njohura të Migjenit. Paraprihet nga një hyrje në të cilën flitet për jetën dhe veprën letrare të Migjenit. Vepra letrare e Migjenit është përkthyer turqisht në Tiranë nga Ali Asllani, Ferid Vokopola dhe Vasfi Samimi; ndërsa në Stamboll është përkthyer në turqisht nga Nexhip Alpan, studiues turk me origjinë shqiptare. Krijimtaria letrare e Migjenit është përkthyer edhe serbo-kroatisht dhe maqedonisht nga poetë kosovarë, shoqëruar me studime e komente përkatëse. Duke përmbledhur me pak fjalë çfarë parashtruam më sipër, mund të themi se krijimtaria letrare artistike e Migjenit, në poezi e në prozë, u përkthye, siç u pa, në disa gjuhë të huaja të Perëndimit e të Lindjes. Koha që kishim në dispozicion, nuk më lejonte të ndaloheshim në jehonën kritike botërore. Po shënojmë vetëm këtë se mjaft kritikë, studiues, shkrimtarë dhe publicistë të huaj kanë vlerësuar dhe vlerësojnë lart veprën e shkrimtarit tonë të shquar. Nikolaj Moraru, shkrimtar dhe kritik rumun, ka shkruar: “Kam qarë kur kam lexuar Migjenin. Nuk më vjen turp të them se qava, por më vjen turp të them që vetëm tani, në moshën dyzetvjeçare, munda ta njoh këtë poet të mrekullueshëm.” Ndërsa Alen Boske, shkrimtar dhe kritik francez, shënoi në “Combat” (1972) se Migjeni ishte “poet i madh i viteve “30”.
Ju faleminderit për vemendjen tuaj!