31 Tetor 2025

Nga data 1 nëntor, qytetarët që përdorin linjën e transportit urban Kamëz–Tiranë do të përballen me rritje të çmimit të biletës dhe abonesë mujore.

Mësohet se duke filluar nga nesër, bileta e transportit publik do të kushtojë 50 lekë, nga 40 lekë që kushtonte deri më sot, ndërsa abonimi mujor është rritur në 14000 lekë nga 12000 lekë që ka qenë.

Operatori i linjës ka dorëzuar pranë Drejtorisë së Transportit të Bashkisë Kamëz një kërkesë për rritjen e tarifës, të mbështetur me analizë të detajuar të kostove dhe argumente ekonomike. Në dokument thuhet se shtimi i çmimeve të karburanteve dhe i shpenzimeve operative e bën të nevojshme përshtatjen e tarifës aktuale.

Më pas, Bashkia Kamëz, e drejtuar nga kryebashkiaku Rakip Suli, ka hartuar një relacion teknik dhe financiar për arsyetimin e ndryshimit të çmimit.

Ky propozim është shqyrtuar nga komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak që mbulojnë ekonominë, financat dhe transportin, dhe në fund është miratuar me votim nga Këshilli Bashkiak.

Vendimi për rritjen e çmimit të biletës dhe abonesë mujore ka sjellë revoltë te qytetarët të cilët për mediat janë shprehur të pakënaqur në një kohë kur rritja e çmimeve po ndjehet kudo.