Tuneli i Llogarasë dhe “tenderi i dytë” në akuzën e SPAK: – Enigma e 30 milionë eurove dhe gati 30 të tjera që u shtuan më pas

1 Nentor 2025
Nga: Gazeta Dita
Gara e parë për Tunelin e Llogarasë u anullua, dhe një garë e dytë nxorri fitues një bashkim operatorësh turq, me një ofertë 30 milionë euro më të shtrenjtë se oferta e një kompanie shqiptare në tenderin e mëparshëm. Gjatë punimeve kostot u rritën sërish dhe vlera përfundimtare e tunelit llogaritet në 201 milion euro
Tenderi i pare për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u hap më 11 dhjetor 2020, me vlerë 19.1 miliardë lekë dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit.
Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulta, ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.
E njëjta garë u shpall më 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë me fond limit 18.9 miliardë lekë, pa Tvsh. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi I dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 17 miliarde leke, pa Tvsh.
Oferta e tyre ishte e katërta për çmimin më të ulët. Bashkimi i kompanive JV Concord Engineering and Contracting &Alb Building shpk & Alb Star shpk, që kishte dhënë një ofertë afro 12 milionë euro më të ulët, u skualifikua, sikundër dhe tre të tjerat.
Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., e cila vetëm pak muaj më parë në tenderin e mëparshëm duke ofruar një vlerë ndjeshëm më të ulët, nuk u përfshi në garën e dytë. Por gjurmët e saj do të shfaqen më vonë.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit dokumentacioni për regjistrimin e shoqërisë që do të vepronte.në Shqipëri, në emër të dy kompanive fituese turke, është bërë nga shtetasja Rovena Dorëzi, e cila rezulton të jetë e punësuar si juriste në shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a. Regjistrimi i shoqërisë “INTEKAR – ASL” në regjistrin tregtar është bërë në datën 23.11.2021.
Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a, rezulton të jetë përfshirë si nënkontraktore e punimeve. Logot dhe punonjësit e saj shfaqen në të gjitha inspektimet që janë kryer nga Balluku, gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Dyshohet se diferenca prej 30 milionë eurosh mes ofertës së tyrqve dhe asaj të “Gjoka Konstruksion” “është “tarifë suksesi” e shoqërisë “INTEKAR – ASL”, pa kryer asnjë punë, pasi të gjitha punimet janë realizuar nga shoqëria shqiptare “Gjoka Konstruksion” sh.p.k..
Nga kjo skemë, mbi të cilën rëndojnë dyshime serioze për korrupsion apo abuzim me detyrën, Buxhetit të Shtetit provohet se i është shkaktuar një dëm prej të paktën 30 milionë euro, për shkak se nuk pasqyrohet ndonjë shpenzim për këtë vlerë.
Por që nga koha e tenderit, vlera e projektit u rrit dhe me 30 milionë euro të tjera. Fillimisht shkoi në 19.4 miliard leke, apo 190 milionë euro, ndërsa sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, vlera përfundimtare arriti në 20.4 miliardë lekë apo 201 milionë euro.
