default

Trashëgimi e rrënuar: Banesat monumentale mbeten peng i restaurimeve

Shqipëria numëron rreth 1300 banesa të shpallura monumente kulture, por pjesa më e madhe e tyre janë lënë në mëshirë të fatit dhe projektet e restaurimit kanë mbetur në letër. Pronarët e tyre ankohen për mirëmbajtjen dhe neglizhencën e institucioneve të kulturës.

Në kullën 3-katëshe të Sulejman Kullës në Ishëm, ballkonet prej druri janë rrënuar dhe çatia me tjegulla është rrëzuar krejtësisht. Lagështira po kalb dyshemetë nga kati në kat, ndërsa muret prej guri janë në rrezik shembje.

E ndërtuar nga ustallarë dibranë, kulla me frëngji daton mes shekujve XVIII-XIX dhe është Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej 8 janarit 1977. Ajo i mbijetoi shekujve, por jo tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit 2019.

Pas tërmetit, ekspertët mbërritën në fshatin Kullas në Ishëm dhe pasi shkrepën disa foto, premtuan se godina kishte shpresë që të riparohej. Por dy vjet më vonë, asnjë ndërhyrje nuk është planifikuar.

“Do më vinte fort, fort keq nëse do prishej. Tepër,” thotë Beqir Kulla, një nga pronarët trashëgimtarë të godinës, ndërsa sytë i mbushen me lot.

“Mos e rregulloni për mua, por për brezin e ri. Është kujtimi i jetës, i fshatit,” shtoi ai.

Kulla historike në Ishëm është vetëm një prej qindra godinave monumentale në Shqipëri që po rrezikojnë të zhduken për shkak të neglizhencës së institucioneve.

Foto: Catia e Kulles se Sulejman Kullës në Ishëm, Durrës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Foto Media Amfora

Mbi 60 pronarë banesash që gëzojnë statusin e monumenteve të kulturës ndanë përmes një pyetësori me median Amfora vështirësitë e tyre për ruajtur godinat historike si dhe mungesën e përkrahjes nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Në 12 qarqet e Shqipërisë numërohen rreth 1309 objekte banimi të kategorizuara si monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, sipas një liste të publikuar në faqen e internetit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Ato janë të ndara sipas tipologjive në kulla, vila, banesa kolektive dhe shtëpi muze.

Në gjashtë vitet e fundit, Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore apo aktorë të tjerë kanë hartuar 1163 projekte restaurimi – por pjesa më e madhe e tyre ka mbetur në letër.

Edhe në rastet kur janë miratuar fondet për restaurim, puna e kryer i ka lënë të pakënaqur pronarët e këtyre ndërtesave dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore.

Banese-ne-Lagjen-Kala-Berat.-Foto-Media-Amfora-scaled

“Nga i gjithë stoku i monumenteve të kulturës, ai i banesave dhe i vilave janë në gjendje tej mase të keqe, pasi u janë lënë banorëve të kujdesen”, tha arkitektja Doriana Musai për Median Amfora.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) u përgjigj se ndërhyrja e fundit restauruese në kullën e Sulejman Kullës në Ishëm nga ana e shtetit, i përket vitit 1987.

Nga: www.Amfora