Thesar monetar arkeologjik  i Shkodrës

Thesar monetar arkeologjik  i Shkodrës

Thesari i Shkodrës është gjetur rastësisht në vitin 1997, rrëzë kodrës ku ndodhet akropoli antik i qytetit të Shkodrës. Ai përbëhej nga 165 monedha argjendi, të prerjes “drahme”, prej të cilave 8 drahme të prera në Dyrrah dhe 157 drahme të prera në Apoloni. Të gjitha monedhat paraqesin në faqe lopën duke ushqyer viçin dhe në shpinë, një kuadrat me ornamente floreale. Drahmet përfaqësohen kryesisht me prerjet e fundit të realizuara në punishtet e Dyrrahut dhe Apolonisë, të datuara në vitet 80/70-48 p.e.s.

Thesar monetar arkeologjik  i Shkodrës

Ky thesar mendohet të jetë fshehur në tokë gjatë luftërave civile midis Çezarit dhe Pompeut, në vitet 49-48 p.e.s. Pronari i thesarit mund të ketë marrë pjesë në këtë luftë dhe me shumë gjasa paratë duhet të kenë qenë paga e përfituar e mbartur me vete. Kushtet e pasigurisë mund ta kenë detyruar pronarin t’ia besojë këtë pasuri tokës, ndërkohë që vdekja e papritur apo rrethana të tjera, nuk e kanë lejuar ta përdorë për së gjalli.