Temperaturat në vendin tonë pritet të shkojnë -17 gradë. –  Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile del me apelin e fortë: – Siguroni ushqim për dy javë

21 JANAR 2022

Disa këshilla praktike nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për banorët e zonave ku parashikohen reshje bore dhe temperatura shumë të ulëta.

Çfarë duhet të bëjmë para bllokimit nga dëbora:

  • Të sigurojmë ushqimin për familjen dhe kafshët shtëpiake të paktën për dy javë.
  • Të sigurojmë nga ngrirja rrjetin e tubacioneve të ujit të pijshëm.
  • Të sigurojmë mjetet e ngrohjes për të gjithë periudhën e dimrit.
  • Të pastrojmë vazhdimisht çatitë e banesave nga shtresat e dëborës.
  • Të sigurojmë veshje të trasha për fëmijët dhe të moshuarit.
  • Të kemi një paketë të ndihmës së shpejtë për çdo rast emergjent.
  • Të sigurojmë një aparat telefoni celular dhe një bateri për atë.
  • Të kemi numrat e shërbimeve emergjente një nga telefonat e linjave celulare.
  • Të sigurojmë një mjet ndriçimi me bateri, të pavarur nga rrjeti elektrik.

Çfarë duhet të bëjmë gjatë bllokimit nga dëbora:

  • Të sigurojmë vazhdimisht ngrohje të banesës.
  • Të sigurojmë ndriçim të pandërprerë në dhomën ku kemi të moshuar, fëmijë apo persona të sëmurë.
  • Të vendosim kontakte me të afërmit dhe t’i ndihmoni në rast fatkeqësie.
  • Të mbajmë të hapur rrugën në oborret brenda shtëpisë.
  • Të kontrollojmë vazhdimisht kafshët shtëpiake dhe të sigurojmë ngrohjen për ambientet e tyre.
  • Të jemi të informuar në çdo kohë për situatën dhe veprimet e ekipit të menaxhimit të emergjencës në bashkinë tonë.
  • Të ndihmojmë ekipet e emergjencës kur kjo gjë të kërkohet nga drejtuesit e tyre dhe njësitë vendore.

Çfarë duhet të bëjmë pas bllokimit nga dëbora:

  • Të pastrojmë çatitë e banesave nga dëbora.
  • Të sigurojmë të afërmit nga rrëshqitja në dëborë.
  • Të ndihmojmë në hapjen e rrugëve këmbësore dhe automobilistike.
  • Të punojmë së bashku me komunitetin për të ndihmuar ekipet e emergjencës.
  • Të krijojmë kushte për strehimin e ekipeve të emergjencës, kur kjo gjë kërkohet nga drejtuesit e tyre dhe të njësisë vendore.
  • Të informojmë ekipet e emergjencës për familjet që kanë probleme në territorin e lagjes sonë.
  • Të ndihmojmë të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara.
  • Të mos pengojmë veprimet e forcave të emergjencës në realizimin e objektivave të tyre për dhënien e ndihmës për komunitetin.

Nga Gazeta Sot