Tallavaja sfidon muzikën shqiptare, komercializimi po zëvendëson vlerat

1 Nentor 2025
Në konferencën mbarëkombëtare të Akademisë së Shkencave, muzikologë dhe kompozitorë ngritën alarmin për komercializimin e muzikës shqiptare dhe humbjen e identitetit nën ndikimin e tallavasë. Muzikologët e pranishëm u shprehën për Syri Tv se mungesa e politikave kulturore dhe e mbështetjes institucionale po lejon që banaliteti të zëvendësojë vlerën artistike.
Në Akademinë e Shkencave u zhvillua konferenca mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”. Muzikologët e pranishëm të pyetur nga Syri Tv folën mbi krizën më të thellë që po kalon muzika shqiptare zhdukjen e identitetit nën pushtetin e komercializimit. Muzikologia Zana Shuteriqi e cilësoi fenomenin të rëndë dhe alarmant duke e lidhur drejtpërdrejt me deformimin e shijeve të publikut.
Në një ton po aq kritik, Vaso Tole paralajmëroi se tregu i sotëm muzikor është i mbytur nga produktet e dobëta komerciale, ndërsa mungesa e politikave kulturore po e thellon krizën.
Ndërsa Arben Llozi e quajti situatën alarm për edukimin muzikor, duke shtuar se mungesa e investimeve po e çon sistemin drejt shkatërrimit.
Kompozitori Valton Beqiri theksoi se pa përkrahje shtetërore, krijimtaria e vërtetë nuk mbijeton.
Edhe Aulon Naçi ngriti shqetësimin për përplasjen midis muzikës serioze dhe asaj komerciale.
Konferenca vuri theksin mbi plagën që po dëmton identitetin artistik të vendit triumfin e tallavasë dhe të muzikës pa përmbajtje ndaj vlerës, përkushtimit dhe traditës.
