
Stuhi me reshje të dendura shiu dhe breshri në qarkun e Elbasanit, raportohet për përmbytje dhe dëme në disa zona
23 Gusht 2025
Moti i keq ka përfshirë bashkitë e qarkut të Elbasanit mesditën e kësaj të shtune, që prej orës 14:00. Sipas raportimeve nga terreni, në disa zona janë shënuar stuhi lokale të shoqëruara me erëra të forta dhe breshër.
Për rreth 20-30 minuta edhe qyteti i Elbasanit u përfshi nga stuhia, duke shkaktuar bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore.
Prurjet e mëdha të ujit krijuan përmbytje të menjëhershme, pasi sistemi i kolektorëve nuk përballoi reshjet e dendura. Erërat e fuqishme kanë shkaktuar gjithashtu dëmtime të pemëve dekorative përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, duke rritur rrezikun për kalimtarët dhe automjetet, raporton gazetari Fatmir Popja.
Autoritetet lokale dhe shërbimet emergjente po ndjekin situatën nga afër, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë motit të paqëndrueshëm.
Ndërkohë moti i keq i shoqëruar me erë dhe breshër ka shkaktuar dëme në disa zona por paraprakisht nuk ka informacione zyrtare.