Sri Lanka prezanton safirin e rrallë vjollcë, me vlerë deri në 400 milionë dollarë

19 Janar 2026
Një safir yjor vjollcë me peshë 3 mijë e 563 karatë, i cili pretendohet të jetë më i madhi në botë i këtij lloji, u prezantua të shtunën në kryeqytetin e Sri Lankës nga pronarët, të cilët janë të gatshëm ta shesin gurin e çmuar, vlera e të cilit vlerësohet të jetë të paktën 300 milionë dollarë.
Guri i rrumbullakët, i quajtur “Star of Pure Land”, është safiri yll vjollcë natyror më i madh i dokumentuar në botë, tha Ashan Amarasinghe, konsulent gemolog.
“Ky është safiri yjor vjollcë më i madh i llojit të vet,” tha ai për mediat, duke shtuar se guri “tregon një asterizëm të përcaktuar mirë. Ka gjashtë rreze asterizmi. Kjo është diçka e veçantë krahasuar me gurët e tjerë.”
Guri, i cili është lëmuar, është në pronësi të ekipit Star of Pure Land, që dëshiron të mbetet anonim për arsye sigurie.
Një nga pronarët tha se guri u gjet në një minierë gurësh pranë qytetit të largët Rathnapura, i njohur si “qyteti i gurëve të çmuar”, në vitin 2023. Ai u ble së bashku me gurë të tjerë në 2023 dhe rreth dy vite më vonë pronarët zbuluan se ishte një gur i veçantë. Më pas e certifikuan në dy laboratorë. Amarasinghe tha se vlera e gurit është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë në 300 deri 400 milionë dollarë. Safirët e Sri Lankës janë të njohur për ngjyrën unike, pastërtinë dhe shkëlqimin e tyre.
