Ekspozita “BZAJ me Diellin” u hap për publikun në Galerinë e Artit Tiranë. Ekspozita në GAT përmban vepra të papublikuara më parë nga fondi i mjeshtrit Bujar Zajmi, të realizuara në harkun kohor 1962-2022. Ekspozita përmban rreth 100 vepra të mjeshtrit dhe vjen e kuruar nga e bija e artistit Anila Zajmi Katanolli. Në hapjen e ekspozitës ishte i pranishëm vetë mjeshtri Bujar Zajmi, drejtori i GAT dr. Abaz Hado, miq dhe artdashës të artistit, etj. Një ekspozitë mjaft interesante, ku publiku këto ditë në GAT mund të shikojë veprat e mjeshtrit Bujar Zajmi, për të cilën e bija e tij Anila Zajmi Katanolli shprehet se është bërë një përzgjedhje nga fondi i tij. “Unë kam bërë kurimin edhe përzgjedhjen e gjithë veprave të babait. Më një ide pak më të veçantë, që të fokusoheshim tek natyra specifike që kanë veprat e babait, që është një artist sintetik me një stil shumë të veçantë, me një këndvështrim pak të veçantë në raport me artistët e tjerë të moshës së tij.

Ai ka punuar gjithmonë kështu, nuk ka qenë asnjëherë ndryshe”, tregon artistja Anila Zajmi. Në ekspozitë janë vepra që janë punuar nga viti 1962 deri në vitin 2022 ( rreth 100 vepra), por që për të bijën e artistit nuk kanë diferencë, ajo që ka bërë në 1962 me atë në 2022. “Ka qenë shumë i qartë që në fillim, qysh përpara se të shkonte të studionte në Gjermani. Unë e shikoj si artist dhe më çudit kjo gjë të jesh kaq i qartë, kaq sintetik, kaq stilistik, kaq domethënës, kaq figurativ. Të gjitha flasin me një gjuhë të qartë dhe kjo është arsyeja që unë kam insistuar për të bërë këtë lloj prezantimi, sepse këtu janë të gjitha punët e paekspozuara nga fondi i arkivës, që është shumë i madh”, thotë më tej Anila Zajmi Katanolli.

Bujar Zajmi

Një fond i pasur me vepra

Mjeshtri Bujar Zajmi ka një fond të pasur me vepra të tij, që janë realizuar ndër vite. E bija e artistit Anila Zajmi Katanolli thotë se në fillim kur ka hapur ekspozitat e para pas viteve ’90, njerëzit mendonin se shifrat që thoshte nuk janë të vërteta, por në fakt është gjithçka e vërtetë. “Babai ka punuar shumë gjatë periudhës së monizimit, që nuk lejohej që një artist të shprehej në këtë lloj forme. Veprat e tij kanë qenë gjithmonë të fshehura dhe një nga arsyet, që janë në dimensione kaq të vogla është dhe kjo për të pasur mundësinë për ti fshehur. Ide të vogla, skica të vogla i ka pasur prej vitesh, ato i ka punuar, i ka riinterpretuar  në forma të ndryshme gjatë gjithë kohës. Një nga veçoritë që ka një larmi idesh, stilesh, tematikash”, thotë ajo.

Bujar Zajmi

Mjeshtri Bujar Zajmi është një piktor grafist. E bija e artistit thotë se kolazhi është një nga teknikat që dominon, por në punët e tij ka teknika nga më të ndryshmet. “Kemi këtu në ekspozitë “Mbretin Ilir” që për mua është babai apo dhe malësorin që i kam vënë në qendër. Babai është patriot dhe ka një karakter të theksuar kombëtar dhe e shpreh në natyrë të natyrshme, jo të qëllimshme. Niset që nga esenca e kombëtares, jo thjesht nga ana formale, por nëpërmjet formës shpreh përmbajtjen”, thotë ajo. Ekspozita e fundit personale e mjeshtrit Bujar Zajmi ishte në Pejë para 3 vitesh. Por ekspozita “BZAJ me diellin” në GAT për të bijën Anila Zajmi Katanolli është dhe si dhuratë për ditëlindjen e tij më 7 korrik. “Dhuratë shumë interesante dhe emocionale, që na e ofroi drejtori i GAT dr. Abaz Hado, që kishte dëshirë ti hapte babait një ekspozitë prej kohësh. Punët e prezantuara janë si dhuratë edhe për publikun, sepse kjo është një mundësi e mirë që të vijnë dhe të kuptojnë veprën e këtij artisti të fshehur”, thotë ajo.

Bujar Zajmi

Ekspozita, me rëndësi në aktivitetin e GAT

Tana Kalemaj specialiste arti pranë Galerisë së Artit Tiranë thotë se ekspozita ka ngjallur shumë interesin e publikut. “Kanë ardhur vizitorë që janë të emocionuar për të parë punimet e tij, por janë edhe kolegë të tij”, thotë Kalemaj për këtë ekspozitë. “BZAJ me diellin” vjen në vijim të aktivitetit artistik të GAT, por specialistja e artit pranë galerisë Tana Kalemaj shton më tej se ekspozita është dhe pjesë e një projekti, që ka ky institucion arti për të nderuar artistët e njohur shqiptarë. “Ne kemi një projekt që do të vijë në vijimësi të kësaj ekspozite, që do të jetë rikthimi në kujtesë i artistëve të vjetër, që kanë një kontribut shumë vjeçar në artin pamor shqiptar dhe në kulturën shqiptare. Ekspozita e mjeshtrit Bujar Zajmi është e para, por nuk ka ardhur rastësisht këto ditë në GAT për shkak se në 7 korrik është dhe ditëlindja e tij, 83- vjetori i tij i lindjes”, thotë Tana Kalemaj. Ekspozita u hap më datë 6 korrik dhe do të qëndrojë deri më datë 17 në GAT.

Aktiviteti i artistit

Bujar Zajmi ka një aktivitet të vlerësuar artistik ndër vite. Në një material më parë, studiuesi Ylli Drishti shkruan se krijimtaria e Bujar Zajmi ndahet në dy pjesë: krijimtaria publike kryesisht në fushën e grafikës dhe ajo e fshehtë që ai e realizoi gjatë viteve 1962-1990. “Dëshira për të krijuar një art ndryshe nga ai i realizmit socialist para viteve ‘90 e detyroi artistin ti krijonte veprat e tij në studio, në mënyrë të fshehtë, vepra të cilat u ekspozuan vetëm pas viteve ‘90. Këto vepra mund të ndahen në disa cikle: cikli kushtuar Tiranës, cikli i portreteve, cikli i nudove si dhe cikli i festave. Zajmi ka nisur të ekspozojë që në vitin 1956, duke realizuar vizatime dhe piktura”, shkruan ai për piktorin. Ai ka marrë pjesë në ekspozitat kombëtare të kohës si dhe ka kontribuar në përgatitjen e disa emisioneve filatelike me tematikë nga përrallat shqiptare dhe sporti. Në krijimtarinë e tij artisti Bujar Zajmi, ka synuar në vazhdimësi drejt një harmonizimi koloristik dhe stilizimi dekorativ. Thelbësorja në veprën e tij, është pasqyrimi i njeriut në situata të ndryshme jetësore dhe konkrete. 1960-1962 piktori kreu specializimin në poligrafikë në Universitetin e Lajpzig në Gjermani. 1963-1967 kreu studimet e larta në degën pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Ndër vite ka hapur ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ku e fundit personale ishte në Pejë.

Bujar Zajmi

NGA JULIA VRAPI

Gazeta Sot