19 Janar 2026

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, i cili është emëruar në organin ekzekutiv të “Bordit të Paqes” të Donald Trump, është distancuar nga kërkesa e presidentit që vendet të paguajnë 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm.

Blair ka refuzuar të mbështesë kërkesën për këto fonde, e cila bazohet në një draft-kartë të organizatës së re. Ky qëndrim shihet si një tjetër sinjal se detajet e “Bordit të Paqes” po shkaktojnë kundërshti midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA-ve ndaj projektit të Trump.

Një zëdhënës i Tony Blair deklaroi të dielën, 18 janar, se ai nuk është i përfshirë në përcaktimin e përbërjes së bordit, duke lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesë publikisht këtë propozim. Zëdhënësi shtoi se çdo pyetje lidhur me tarifën prej 1 miliard dollarësh duhet t’i drejtohet administratës Trump.

Bloomberg News shkruan se disa vende mund të refuzojnë anëtarësimin në bord për shkak të kushteve të vendosura nga Trump. Vende të tjera mund të pranojnë parimisht t’i bashkohen “Bordit të Paqes”, por pritet të refuzojnë pagesën e tarifës për anëtarësim të përhershëm.

Në këtë rast, ato ose do të përpiqen ta negociojnë tarifën ose mund të tërhiqen nga bordi nëse Trump insiston mbi këtë ide.

Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se ka pranuar parimisht të bashkohet me bordin, por nuk ka rënë dakord për pagesën.

“Sa i përket detajeve të Bordit të Paqes, ende nuk kemi shqyrtuar strukturën, mënyrën e funksionimit, financimin dhe çështje të tjera. Do të punojmë për këto gjatë ditëve në vijim”, tha ai.

Një zyrtar kanadez theksoi se qeveria nuk do të paguajë për një vend në bord, dhe se draft-karta e organizatës është ende në diskutim. Sipas tij, pjesëmarrja e Carney bëhet edhe për të ndikuar në proces nga brenda.

tvklan.al