4 Shtator 2025

Administratori i një spitali privat në Tiranë, që rezultoi se nuk kishte deklaruar një milionë euro fitime gjatë periudhës 2024-2025, u vu në pranga. Subjekti u bllokua, ndërkohë që dy bashkaksionerët u shpallën në kërkim. Nga hetimet ka rezultuar se shërbimet spitalore në këtë subjekt kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim dhe se punonin shtetas të pasiguruar. Policia ka sekuestruar 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike.

“Gjatë operacionit ‘Bilanci’, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.

Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas“, njofton policia.