
SPAK “troket” te dera e zonjave të pushtetit.- Juristi i njohur zbulon lëvizjet e heshtura të prokurorëve që sinjalizojnë.
25 Maji 2025
Një furtunë e re hetimore duket se po merr formë në zyrat e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndërsa në heshtje, por me hapa të qartë proceduralë, janë thirrur disa deputete gra, figura kyçe të Partisë Socialiste dhe qeverisë. Ky zhvillim është zbuluar nga avokati i njohur, Sokol Hazizaj, i cili në një deklaratë të fortë në rrjetin e tij social ka dhënë sinjalin se nuk kemi të bëjmë me një thirrje formale, por me lëvizje konkrete që paralajmërojnë ndërtimin e një dosjeje të madhe, e cila mund të tronditë deri në majat më të larta të pushtetit në PS.
“Një këshillë ose sipas qejfit, për vajzat ose gocat deputete që janë thirrur sot në SPAK. Mirë është të jeni të kujdesshme në deklarime sepse kjo është një lëvizje serioze dhe sinjal se SPAK ka nisur ose ka në dorë një procedim penal ku këta persona kanë dijeni ose rol të mundshëm. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ndaj jush ka akuzë – të paktën jo ende”, shkruan Hazizaj.
Fazat ligjore
Ai sqaron qartësisht edhe fazat ligjore për të cilat një person mund të thirret nga SPAK, duke vënë theksin tek domethënia e secilës lëvizje: Si persona që kanë dijeni (dëshmitarë) – më e zakonshmja në fillim të hetimeve. “SPAK mund të jetë duke ndjekur një çështje tjetër (p.sh. korrupsion ose shpërdorim detyre në një institucion nën varësinë e tyre), dhe ata thirren për të sqaruar fakte ose dokumente, aktuale/ të ditës.” Si persona nën hetim (pa publikuar ende statusin) – në disa raste, “SPAK i merr në pyetje fillimisht pa e bërë publik se janë ‘nën hetim’ për të mbledhur prova ose për t’i përballur me të dhëna.” Si sinjal për hetim më të thelluar, kur pyetjet dalin përtej rolit institucional: “Kjo tregon se SPAK mund të apo ndërton një dosje më të madhe ku përfshihen vendime të larta politike.” Hazizaj paralajmëron se veprimet e fundit të SPAK nuk janë spontane, por të bazuara në një logjikë të qartë hetimore që vjen pas mbledhjes së provave. “SPAK nuk thërret ministra aktualë pa pasur një arsye të fortë – kjo ndodh pasi janë grumbulluar dokumente, dëshmi, apo janë ndjekur një seri vendim/akte procedurale lidhur me dyshime…”
Mesazhi
Më tej, avokati shkon përtej aspektit ligjor, duke e lexuar këtë zhvillim edhe në planin politik dhe strategjik të udhëheqjes aktuale. Ai flet për një operacion të mirëkalkuluar nga “Udhëheqësi”, që ka për qëllim jo vetëm të ulë presionin publik për çështjet e korrupsionit, por edhe të rifitojë kontrollin e narrativës politike dhe të konsolidojë pushtetin përmes një “pastrimi” të brendshëm pas zgjedhjeve. “Udhëheqësi kryen disa ‘punë’ me këtë rast,” shkruan Hazizaj, duke vijuar: “Ul presionin e publikut, sepse akuzat për korrupsion kanë krijuar presion publik të fortë, si brenda vendit ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.”
“Një ‘pastrim’ i organizuar pas zgjedhjeve do të duket si një reagim serioz ndaj korrupsionit.” “Rikthen kontrollin e narrativës politike te ai vetë dhe mban pushtetin pa kosto të lartë.” “Hap rrugë për një gjeneratë të re politike, që ai vetë zgjedh dhe e kontrollon.” “Merr kapital politik në sytë e ndërkombëtarëve sepse BE dhe SHBA mund të legjitimojnë një mandat të ri për ‘PS’.” “Parandalon çarjet e brendshme në ‘PS’, sepse disa ‘figura të vjetra’ janë më shumë barrë/ ngarkesë sesa aset politik.” Në përfundim të postimit të tij, Hazizaj iu drejton thirrjen për kujdes drejtpërdrejt ndaj deputeteve që janë thirrur në SPAK: “Ndaj Goca, nuk po zgjatem se kam shumë arsye juridike të tjera për të cilat s’po ua them, por do tua bëj me dije në vesh/ nga afër, ndaj: Kujdes me deklarimet në çfarëdo statusi!!!”, thotë ai.
Nga: Gazeta Sot