Sot dita e 67 e protestës kundër Ramës

5 Gusht 2026
Dita e 67-të e protestës, qytetarët marshojnë sërish drejt Kryeministrisë: “Rama, jep dorëheqjen”
Protesta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e 67-të radhazi, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në mbrëmje në sheshin “Skënderbej”.
Pas grumbullimit në shesh, protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalimet e aktivistëve dhe qytetarëve pjesëmarrës në protestë.
Prej më shumë se dy muajsh, qytetarët protestojnë çdo ditë në Tiranë, duke kërkuar largimin e qeverisë. Organizatorët kanë bërë të qartë se aksioni nuk do të ndalet dhe se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Në qendër të kërkesave mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilën protestuesit e konsiderojnë të panegociueshme. Sipas organizatorëve, nuk do të pranohet asnjë kompromis politik.
Edhe këtë mbrëmje pritet që protesta të shoqërohet me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”!
