30 Dhjetor 2022

Nga OraNews

Publikimi i vendimit të Gjykatës së Posaçme për pronat e Ylli Ndroqit ka nxjerrë në pah një standard të panjohur më parë në drejtësinë shqiptare. Gjyqtarja, Etleva Deda, ka hedhur në kosh raportin e njërës prej eksperteve që vetë kishte përzgjedhur, me argumentin se ajo nuk kishte licencë. Ligjet në fuqi i japin gjykatës të drejtën dhe përgjegjësinë e zgjedhjes së ekspertit, ndërkohë që në vendim bie në sy tendenca e gjykatës për të mos njohur të ardhurat nga bizneset e Ylli Ndroqit nga viti 1993 pavarësisht mbi 700 maune të regjistruar në dogana.

Publikimi i vendimit prej 299 faqesh të Gjykatës së Posaçme për pronat e Ylli Ndroqit nxjerr në pah një skandal me procedurën e ndjekur prej gjykatës.

Në konkluzione pranohet se ai ka pasur një biznes të madh prej vitit 1993 që kishte si qëllim eksport-import të mallrave, e faktuar kjo edhe me dokumente.

Madje vetëm kapitali themeltar i këtij subjekti ka qenë 20 mijë dollarë, çka tregon dhe nivelin e sipërmarrjes së asaj kohe.

Por për vlerësimin e të ardhurave dhe për pasurinë gjykatësja, Etleva Deda, përzgjodhi 3 ekspertë nga lista e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa gjatë procesit nuk u pranua kërkesa që prej kësaj liste një prej ekspertëve të zgjidhej nga avokatët sipas përcaktimeve të ligjit.

Më tej, me paraqitjen e vlerësimit financiar rezultoi se Ylli Ndroqi kishte vlerë pozitive të të ardhurave deri në vitin 2020, kur edhe u vendos sekuestro.

Ndërsa para vitit 2003, prej biznesit që ushtronte, ekspertja konkludoi se fitimi i mbetur nga kompania që ushtronte aktivitetin në disa NIPT-e ishte 82,499,331 lekë ose rreth 1 milionë dollarë, pasi ishin zbritur shpenzimet e jetesës, pagat, tatimet e taksat.

Por ekspertja shprehet më tej se ky është fitimi më minimal i mundshëm, duke parë se në atë periudhë mallrat që vinin në Shqipëri ishin të kërkuara për shkak të mungesës në treg.

Ekspertja shprehet se mundësia më e lartë ishte që nga aktiviteti fitimi të ishte shumë më i madh.

Para gjykatës u paraqiten të dhëna zyrtare të doganave me mbi 700 maune të zhdoganuara, ku qartësisht shënohet akciza, TVSH e taksa doganore për mallrat.

Si rrallë më parë me fakte u provua se subjekti i krijuar në vitin 1993 ishte biznes i madh dhe me NIPT-e sekondare për të ushtruar aktivitetin.

Skandali me gjyqin e Ylli Ndroqit, gjyqtarja kujtohet në fund të

Certifikatë, biznes i madh

E në fakt gjithçka iu nënshtrua analizës në pyetjet që u ngritën nga avokatët e prokurorët dhe të saktësuara nga gjykata.

Por çfarë ndodhi më pas ishte se në mënyrë të çuditshme, Etleva Deda, nuk pranon ekspertizën me një argument që e bën përgjegjëse vetë atë.

Pasi është njohur me raportin e saj, gjykata hidhet në sulm ndaj ekspertes që vetë kishte zgjedhur në fillim të procesit.

“Gjykata evidenton faktin se kjo eksperte ka marrë përsipër kryerjen e një detyre, për të cilën nuk ka patur aftësitë tekniko-juridike t’a kryente dhe nuk disponon liçensë për kryerjen e saj, edhe pse përpara Gjykatës u shpreh se e kishte atë tagër”, thuhet në argumentin e gjykatës.

Ky fakt duket se ngre shumë pikëpyetje, kur është vetë gjykata që në mënyrë të njëanshme, duke mos pranuar asnjë kërkesë të avokatëve, ka vendosur trupën e ekspertëve dhe kur vetëm gjykatëses i lejohet të drejtojë punën në rastin e ekspertëve, për të arritur në një proces të drejtë e të pavarur.

Kodi i procedurës penale dhe kodi civil ngarkojnë gjykatën me caktimin e ekspertit, duke zgjedhur një emër nga lista e Ministrisë së Drejtësisë.

Skandali me gjyqin e Ylli Ndroqit, gjyqtarja kujtohet në fund të

Licenca sekondare 1996

Në këtë rast vetëm në përfundim të procesit gjykata me një të rënë të lapsit rrëzon të biznesin shumëvjeçar me pretendimin se nuk e dinte që ekspertja që ngarkoi nuk kishte licencën.

E në këtë mënyrë askush nuk mund të sqarojë se ku shkuan mbi 700 maunet e deklaruara në regjistrat doganore dhe faji i kujt është (dokumentet bashkangjitur).

Më tej në vendim thuhet se në seancë u pyetën dëshmimtarë e ish-punonjës që i përkasin pas vitit 2004.

Por në mënyrë absurde gjykatësja nuk pranoi të dëgjonte dëshmimtarët që kanë qenë punonjës në kompaninë Pasmaçiu, që ishte biznes i madh nga viti 1993.

Skandali me gjyqin e Ylli Ndroqit, gjyqtarja kujtohet në fund të

Në seancë gjykata u shpreh se kjo nuk ishte e nevojshme. E me sa duket gjithçka është paragjykuar, pa pasur mundësinë për të bërë barazi para ligjit.

Nëse dëshmimtarët e kohës do të dëgjoheshin, do të zbardhnin edhe më shumë dritë mbi të vërtetën.

Pikërisht në këtë mënyrë gjyqtarja, Etleva Deda, ka arritur në konkluzionin se deri në vitin 2003 Ylli Ndroqi nuk ka pasur të ardhura edhe pse fakti është se ka pasur një biznes të madh, pra pa e sqaruar sa të ardhura ka pasur.
Skandali me gjyqin e Ylli Ndroqit, gjyqtarja kujtohet në fund të

Në fakt po sipas ligjit, nëse një biznes nuk pret faturat, tatimorët bëjnë vlerësimin alternativ të lejuar në ligj dhe të detyrojnë jo vetëm të paguash tatimfitimin, por edhe gjobat.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.