Skandali 1 milion euro. Mediat që kanë përfituar nga fondi grek. –

– Mësohet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo per finacimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri

  • Gazeta Koha e JONE, 19 Tetor, 2018.

Sot ka dalë në dritë një skandal i madh, ku nga pala greke mësohet, sipas burimeve të TCh, se janë financuar mbi 1 milion euro vetëm për muajin e fundit në disa media dhe portale shqiptare për të mbështetur dhënien e detit, Greqisë, nga ku duket fare hapur se përfiton Athina dhe humbet Shqipëria.

Ky lajm po diskutohet nga burime greke që tregojnë detajet e largimit të ministrit të jashtëm Niko Kotzias nga qeveria. Pas dorëheqjes flitet edhe për një një skandal financiar, pasi sherri mes tij dhe ministrit të mbrojtjes Panos Kamenos ka ndodhur për shkak të parave që financohen në Shqipëri për mediat, gazetarë, zyrtarë të minoritetit apo dhe ndërtime në jug.

Një shumë prej 1 milionë euro është dhënë në muajin tetor për disa portale edhe në Shqipëri, siç mëson Top Channel. 45 milionë euro është shuma të cilën ministri Kamenos ia faturon Kotziasit si e shpenzuar në mënyrë abuzive nga ai që konsiderohet buxhet sekret i ministrisë së Jashtme greke.

Kotzias ka deklaruar se paratë e buxhetit sekret të ministrisë, kryesisht financonin Kishën orthodokse, por edhe aktivitete të ndryshme në rajon, por pa dhënë detaje.

Burime pranë ministrisë së Jashtme në Athinë bëjnë me dije se një pjese e madhe e buxhetit sekret të kësaj ministrie jepet në formë grantesh dhe ndihmash në media dhe organizata të ndryshme në rajon për të paguar gazetarë, portale, por edhe media të caktuara në Shqipëri dhe Maqedoni.

Gjithashtu mësohet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo per finacimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi.

Burime të sigurta thonë se janë financuar edhe programe të ndryshme për studime Master të zyrtarëve shqiptarë në Greqi, por edhe për pritje, përcjellje dhe udhëtime turistike të disa prej gazetarëve shqiptarë. Në listë nuk mungojnë as fondacione mediatike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër.

Janë qindra mijera euro që jepen në aktivitete në Shqipëri, ndërsa ajo çka thuhet jo zyrtarisht nëpër korridoret e ministrisë së Jashtme greke, është fakti që për të bërë marrëveshje mes dy vendeve, duhet të paguash mirë portalet shqiptare.

Madje, janë disa portale që operojnë në Shqipëri, me domain “.al”, por që finacohen prej Athinës zyrtare.

Top Channel mësoi se ekziston një listë e detajuar e kodeve dhe llogarive, por edhe emrat e pritësve të këtyre parave, e cila shoqëron kërkesën prej nëntë faqesh të dorëheqjes, që ministri i Jashtëm i dorëzoi kryeministrit grek, Tsipras.

Ky është një skandal i madh ku duhet patjetër të hetojë prokuroria shqiptare. Por kush ka marrë nga ky fond? Në mënyrë lakonike i ka përmendur Dritan Kaba.

Nga Dritan Kaba

Kush media ka mbrojtur dhe i ka bërë jehonë qiellore takimeve të Bushatit dhe Kotzias.

Kush media ka thënë që marrëveshja e detit është supër, ndërkohë që fiton pala greke krejt zonën ekonomike në det.

Kush media ka goditur Presidentin e Republikës, se po vonon marrëveshjen, me kërkesat e tij, konform Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për firmosjen e autorizimit për bisedime mes palëve.

Kush media ka bërë shkrime duke e paraqitur Presidentin si “inatçi”, xheloz për sukseset e Ramës dhe plot epitete të tilla nga këto.

Kush media dhe analist, nëse mund të quhen të tillë, ka shkruar opinione me justifikimet se po hiqet ligji i luftës dhe kjo është arritje e madhe, kështu që marrëveshja për detin nuk ka asnjë rëndësi se ajo është më e mirë se e mëparshmja.

Kush media nuk ka transmetuar denoncimet e opozitës për dhurimin e zonës ekonomike detare Greqisë, dmth miliarda dollarë gaz dhe naftë.

Kush media ka bërë emisione për leverdinë e marrëveshjes që do “ndryshojë” historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve pas nënshkrimit të saj.

Janë pikërisht mediat dhe “analistët” që kanë përfituar para nga fondi sekret i Ministrisë së Jashtme Greke.

Prokuroria duhet të hetojë mbi këtë financim të paligjshëm dhe antikombëtar.