2 Nentor 2025

Më 30 tetor, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu publikoi në rrjetet sociale një postim mbi ‘regjimet e këmbësorisë së Veriut’, të shoqëruar me harta vizuale dhe foto që cenojnë dhe vendosin në pikëpyetje sigurinë kombëtare të vendit.

Në statusin e tij, ministri shkruante:

‘Ngritja e Qendrave Rajonale të Emergjencave Civile, si ajo e Bushatit për veriun, do të forcojë më tej aftësitë dhe efektivitetin e reagimit ndaj çdo rreziku.’

Por, ajo që tërhoqi vëmendjen është fakti se në këto foto shfaqen harta me vendndodhje të njësive të këmbësorisë, një informacion që zakonisht klasifikohet si sekret shtetëror.

Image

Sipas kuadrit ligjor shqiptar, zbulimi apo shpërndarja e të dhënave të klasifikuara ushtarake përbën shkelje të rëndë të Kodit Penal, e cila mund të kualifikohet si publikim i informacionit të klasifikuar ose shpërndarje e sekretit shtetëror nga ana e ministrit Vengu.

Një veprim i tillë, aq më tepër kur kryhet nga një përfaqësues i lartë i qeverisë, rrezikon jetën e efektivëve në terren dhe operacionet strategjike të mbrojtjes.

Në rastet kur informacionet e tilla publikohen edhe nga vetë Ministri i Mbrojtjes kemi të bëjmë me ekspozim i të dhënave që mund të dëmtojnë sigurinë kombëtare, dhe përfshihen në kategorinë e veprave penale të parashikuara nga ligji për abuzim me detyrën apo shkelje të rregullave të klasifikimit të informacionit.

Në këtë kontekst, Piranjat.al ngre dy pyetje të hapura për Ministrin e Mbrojtjes:

1- A ishte ky publikim i informacionit të klasifikuar një veprim i qëllimshëm apo i pakujdesshëm?

2- Zoti Vengu, a jeni i vetëdijshëm se me këtë veprim mund të keni vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë?