12 Gusht 2026

Nga Nicola Rotari, CORRIERE DEL VENETO

Është një nga qendrat tregtare më të njohura dhe më të mëdha të Venetos, Adigeo në Verona. Ajo që çoi në zbulimin e një 22-vjeçari me origjinë shqiptare, i ndaluar në aeroportin Canova të Trevisos, ishin ndërhyrjet e tij me përmbajtje ekstremiste në rrjetet sociale.

Ai kishte betuar besnikëri ndaj ISIS-it, të ashtuquajturit Shteti Islamik, duke përfunduar një proces të gjatë radikalizimi drejt terrorizmit islamik, i cili e kishte çuar deri aty sa të planifikonte në detaje një atentat që, në javët e ardhshme, do të kishte si objektiv një nga qendrat tregtare më të njohura dhe më të mëdha të Venetos, Adigeo-n e Veronës.

Para nisjes për në Itali, pasi kishte përfunduar edhe trajnimin si “prodhues bombash” duke konsultuar udhëzues për prodhimin e mjeteve shpërthyese, ai kishte hapur një llogari bankare ku do të depozitoheshin paratë e nevojshme për blerjen e materialeve për përgatitjen e një bombe që mund të shkaktonte viktima.

Një plan i tmerrshëm dhe, në dukje, i përsosur.

Postimet në rrjetet sociale

Ajo që çoi në zbulimin e 22-vjeçarit me origjinë shqiptare, i ndaluar të dielën e kaluar në aeroportin Canova të Trevisos pasi kishte mbërritur me prindërit në një fluturim nga Tirana, ishte aktiviteti i tij ekstremist, të cilin e kishte shfaqur online përmes disa postimeve në platformat sociale të lidhura me qarqet e terrorizmit ndërkombëtar me ideologji islamike.

Ky ambient ekstremist monitorohet vazhdimisht nga Departamenti Qendror për Parandalimin i Policisë së Shtetit. Deklaratat e 22-vjeçarit nuk u shpëtuan hetuesve, të cilët kishin ndjekur transformimin e tij nga një i ri me disa simpati ekstremiste në një militant të rrezikshëm të ISIS-it, një person i gatshëm për të kryer një sulm.

Ideja për t’u transferuar

I riu shqiptar kishte shqyrtuar gjithashtu mundësinë për t’u transferuar në një prej territoreve që kishin mbetur nën kontrollin e ISIS-it. Por, para kësaj, ai do të donte të kryente një sulm në Itali dhe plani i tij ishte pranë realizimit.

I riu dhe prindërit e tij, të cilët nuk kishin dijeni për veprimet e të birit, kishin ardhur në Itali si turistë të zakonshëm. Ata do të duhej të vizitonin disa të afërm që jetojnë në provincën e Pordenones dhe që i kishin vizituar edhe më parë.

Sapo mbërriti në kontrollet kufitare, i riu u mor menjëherë në ngarkim nga agjentët e policisë në aeroportin Canova dhe nga DIGOS, njësia policore italiane që merret edhe me terrorizmin.

Atij iu njoftua një dekret dëbimi i firmosur nga ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi.

Që të hënën, 22-vjeçari u riatdhesua me një fluturim direkt.

Hetimet

Hetimet për këtë çështje do të vazhdojnë për të përcaktuar nëse 22-vjeçari kishte bashkëpunëtorë, persona të gatshëm ta ndihmonin në misionin e tij kriminal.

Duket se një pjesë e materialeve, në pamje të parë të padëmshme, që do të përdoreshin për përgatitjen e bombës, ishin porositur dhe dorëzuar tashmë në shtëpinë e të afërmve të 22-vjeçarit.

Një tjetër detaj ka dalë nga hetimet: përmes rrjeteve sociale, i riu shqiptar komunikonte me persona të tjerë të lidhur me terrorizmin, të cilët dyshohet se i kishin dërguar edhe paratë që do të përdorte për atentatet.

Zgjedhja e qendrës tregtare

Ende nuk është e qartë se përse ai dhe “komuniteti” i xhihadistëve zgjodhën pikërisht Adigeo-n, një qendër tregtare me 130 dyqane dhe 47 mijë metra katrorë sipërfaqe, si vendin ku do të shpërthente bomba.

Nga Verona, këshilltarja për sigurinë Stefania Zivelonghi, e cila kishte qëndruar në kontakt me komisariatin pas lajmit se qendra tregtare e qytetit ishte vënë në shënjestër, përgëzoi forcat e rendit: “Ky operacion inteligjence tregon edhe një herë cilësinë e forcave tona të policisë. Monitorimi i vazhdueshëm i situatave potencialisht të rrezikshme bëri të mundur identifikimin e personit jashtë vendit, përpara se ai të shkelte në Itali, duke ndërhyrë me shpejtësi dhe duke e penguar të ndërmerrte çfarëdo veprimi”.

Kërcënimi është larguar dhe i riu nuk do të mund të kthehet më në Itali.

Megjithatë, mbetet një ndjenjë tensioni, e zbutur nga garancitë e forcave të rendit dhe nga një operacion i zhvilluar me shpejtësi, i cili arriti të parandalojë një rrezik të mundshëm dhe të afërt.