“Shqipëria në prag të krizës”

8 shkurt 2020

Nga: Janusz Bugajski

Përshkallëzimi i protestave në Mal të Zi mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë gjerësisht në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Teksa partitë nacionaliste serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe intensifikojnë fushatën e tyre kundër qeverisë malazeze, rreziku i provokimeve dhe i dhunës që qëndron mbi këtë shtet mund të tërheqë edhe fqinjët në konflikt.

Demonstratat masive të përsëritura në Podgoricë dhe qytete të tjera kanë për qëllim të rihapin “çështjen serbe” në Mal të Zi, ashtu si dhe në Kosovë e Bosnje-Hercegovinë. Kjo ka dy synime përfundimtare: të kërkojë një komb-shtet më të madh serb dhe të vërë në dyshim legjitimitetin ose madhësinë e vendeve fqinje që përmbajnë pakica serbe.

Demonstratat e tanishme në Podgoricë u ndezën kur qeveria prezantoi një ligj për të hetuar pronarët origjinalë të pronave fetare. Drejtuesit ortodoksë serbë dhe politikanët anti-pavarësi përfituan nga kjo mundësi për të akuzuar qeverinë e Milo Gjukanoviç për planifikim të konfiskimit të pasurisë së kishës dhe transferimin e saj tek kisha e rindërtuar ortodokse e Malit të Zi – autoqefalia (autonomia)  e së cilës u shua nga udhëheqësit serbë pas Luftës së Parë Botërore.

Edhe pse shumica e kësaj pasurie të patundshme u vodh nga ana e Beogradit prej shtetit të pavarur malazez në 1918, nuk ka shumë gjasa që qeveria aktuale të kërkojë kthimin e saj. Një politikë e tillë do të ishte e pakontrollueshme, kaotike dhe mund të provokonte konflikte  të drejtpërdrejta mes qytetarëve. Megjithatë, çdo qeveri ka të drejtën të hetojë dhe regjistrojë fatin e pasurive të mëparshme shtetërore ose pasurive të tjera të paluajtshme të konfiskuara nga një fuqi e huaj ose nga regjimet fashiste dhe komuniste. Kështu ka ndodhur në rajone të ndryshme të Evropës Lindore.

Mosmarrëveshja mbi regjistrimin e pasurive u ka mundësuar nacionalistëve serbë dhe propagandës së shtetit rus të shtojnë sulmet e tyre ndaj qeverisë, shtetësisë dhe anëtarësisë në NATO të Malit të Zi. Të paaftë për të hequr (nga pushteti) presidentin Gjukanoviç në zgjedhjet e përgjithshme apo edhe përmes përpjekjes për grusht shteti në tetor 2016, këto forca armiqësore tani synojnë të nxisin protesta masive, duke e portretizuar qeverinë si të korruptuar dhe shtypëse dhe Gjukanoviç si armikun kryesor dhe të keqen më të madhe.

Mali i Zi është një shoqëri e përçarë dhe ashtu si shtetet e tjera postkomuniste sistemi i tij demokratik, veçanërisht në sfera të tilla si pavarësia e gjyqësorit, ka mangësi të mëdha. Megjithatë, nuk është më pak përfaqësues sesa fqinjët e tij dhe korrupsioni qeveritar është, në të vërtetë, poshtë atij të Serbisë dhe të Shqipërisë, sipas indeksit më të fundit të Transparencës Ndërkombëtare (TI). Pa një udhëheqje të provuar pro-perëndimore, e cila i ka bërë ballë pretendimeve nacionaliste serbe dhe presioneve të vazhdueshme të Rusisë, mundësitë për destabilizim rajonal do të rriten në mënyrë domethënëse.

Fushata e re antiqeveritare ka gjithashtu një përbërës etnik, që përkeqëson ndasitë midis malazezëve dhe serbëve. Kjo mund të ndikojë në popullsinë shqiptare në Mal të Zi, të cilët mund të akuzohen nga liderët radikalë serbë për kompromise të fshehta me partinë në pushtet. Çdo përpjekje për të rrëzuar qeverinë përmes një revolucioni në rrugë mund të çojë në gjakderdhje dhe fajësimin e mundshëm të popullsisë shqiptare dhe boshnjake, të cilët kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin e tij në NATO.

Pretendimet e nacionalistëve serbë ndaj Malit të Zi i ngjajnë atyre të elitës së Rusisë ndaj Ukrainës. Ata refuzojnë të pranojnë se këto shtete janë të pavarura njëherë e përgjithmonë dhe se Kishat Ortodokse kombëtare janë autoqefale. Kohët e fundit, Moska përjetoi një humbje të madhe kur Kisha Ortodokse e Ukrainës u njoh si autoqefale nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, duke pakësuar, kështu, autoritetin e Kishës Ortodokse Ruse. Prandaj tani, Kisha Serbe ka frikë nga një humbje e ngjashme nëse Kisha Ortodokse Malazeze forcon pozicionin e saj dhe njihet ndërkombëtarisht si autoqefale.

janusz bugajski

Kremlini nuk ka hequr dorë nga përpjekja për të destabilizuar Malin e Zi. Do të ishte një fitore e madhe për presidentin Vladimir Putin, nëse ai do të mund të shpërbënte një anëtar të NATO-s nga brenda, thjesht duke mbështetur revizionizmin serb. Dhe suksesi i mundshëm në Mal të Zi do t’i jepte zemër grupeve ultra-nacionaliste që të bëheshin më aktivë në përpjekjen për destabilizimin e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës.

Vërtetë, demonstruesit antiqeveritar në Podgoricë, gjithashtu, kanë futur edhe Kosovën në axhendën e tyre, duke pretenduar se Kosova mbetet territor serb. Megjithëse ky mund të jetë më shumë mendim i dëshiruar sesa veprim i bashkërenduar, militantë mund të rekrutohen nga shërbimet e inteligjencës ruse për të organizuar provokime dhe sulme të dhunshme në çdo vend fqinj.

Skenarë të tillë do ta tërheqin Shqipërinë në një konflikt të ri rajonal, jo vetëm për të mbrojtur bashkëkombësit e vet në Mal të Zi, por edhe për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës. Shumë do të varet nga reagimet e qeverisë serbe, e cila përballet me zgjedhje të reja të përgjithshme në prill. Në këtë pikë është e paqartë nëse administrata e Aleksandar Vuçiç do të luajë kartën nacionaliste apo do ia besojë të ardhmen e vet marrëdhënieve paqësore dhe normalizimit të dyanshëm me Malin e Zi dhe Kosovën, çfarë do të mbështeste aspiratat e saj drejt anëtarësimit në BE.

Gazeta Dita