12 Shtator 2025

Alarmi tashmë është në kulm. Federata Serbe e Futbollit nuk dëshiron në asnjë mënyrë që ndeshja ndaj Shqipërisë në 11 tetor, për eliminatoret e Kupës së Botës, të luhet në Beograd.

Edhe pse ishte vetë kjo Federatë që vendosi që duelet kundër Anglisë e Shqipërisë të zhvendoseshin në stadiumin më të madh të Serbisë, “Rajko Mitiç” duke shkaktuar edhe zemërimin e presidentit Vucic, tashmë situata është përmbysur.

Ngjarjet që ndodhën në impiantin e Crvena Zvezdës pikërisht në katastrofën 0-5 përballë anglezëve bënë që të kërkohej prapakthehu.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe, Branko Radujko, I deklaroi agjencisë “Tanjug” se është bërë kërkesë në UEFA që të luhet ndaj Shqipërisë në Leskovac, aty ku nisi cikli eliminator.

“Ndeshja me Anglinë ishte një zhgënjim në çdo aspekt. Tani ne jemi 3 javë larg grumbullimit të kombëtares për ndeshjen më të rëndësishme në këto eliminatore, për ndeshjen me Shqipërinë, e cila do të përcaktojë se cili ekip do të shkojë në plej of. Po punojmë intensivisht për dakordësinë që ta luajmë këtë ndeshje në Leskovac, ku kombëtarja ka qenë gjithmonë e qetë, e sigurt dhe në atmosferë të mirë dhe ku kemi arritur rezultate. Besoj se në periudhën e ardhshme do të luajmë në Leskovac”.

Në “Rajko Mitiç” pati skena të shëmtuara, jo thjesht nga lazeri që iu drejtuar një lojtari anglez, dhe nga thirrjet apo simbolet nacionaliste, por edhe nga problemet mes vetë tifozëve serbë.

Një pjesë e tyre lëshoi thirrje kundër presidentit Vucic, ndërsa në Beograd vazhdojnë protestat e ashpra, ndërsa më pas disa elementë pro qeverisë kaluan gardhin dhe nisën të godisnin njerëzit.

Skandali më I madh ishte se policia nuk reagoi, ndonëse ishte e pranishme dhe e pajisur, duke krijuar tension edhe më të madh.

Një tifoz gjithashtu hyri në fushë dhe kërcënoi t’i merrte flamurin tifozëve anglezë, e madje I bëri rezistencë policisë derisa u ndalua.

Nga: Gazeta Sot