Nga Besi Bekteshi

Kane  ndërtuar “partinë shtatore” (janë shumë) me kryetarët e përjetshëm, të cilët deformojnë pluralizmin shqiptar, duke mos pasur asnjëherë demokraci të brendshme në partitë e tyre.

***Ai moment kur përmendorja e madhe e Enverit ra e tërhequr ashtu gati lirshëm vidash – është një nga momentet më të gëzuara të lirisë dhe më të trazuara të demokracisë. Ai moment ishte i gëzueshëm, sepse një diktator i ngritur në disa piedestale të mëdha dhe që kishte mbajtur shoqërinë dhe shtetin nën një presion ideologjik dhe uri kriminale, por dhe në një luftë klase absurde dhe vrastare – po rrëzohej! Kurse moment i trazuar është, sepse shoqëria shqiptare u mor me statujën e Enverit, me një përmendore të cilës vetë një pjesë e llastuar, krimbur, korruptuar, mashtruese, përkëdhelur e regjimit ja kishte liruar “vidat” që më përpara dhe kishte përgatitur rrëzimin e lehtë të saj. “Revolucioni shoqëror” i rrëzimit të shtatoreve kur nuk arrin të rrëzojnë simbolin dhe sinjikativen e tyre është një uverturë popullore e dirigjuar nga diktatori dhe i vdekur! Shoqëritë dhe politika që rrëzon shtatoren dhe shan ditë e natë atë burrin në shtatore, përkujton orë e minutë si arritje të madhe rrëzimin e shtatores – mashtron me krijimin e modelit të ri. Turma sigurisht ka bërë punën e vet dhe ka rrëzuar shtatoren, por individët kanë ruajtur dhe rritur Enverin dhe kultin e tij, shumë mirë në pothuaj të gjitha partitë e medemek pluralizmit shqiptar! Rrëzimi i vetëm shtatores së Enverit dhe jo modelit drejtues të tij, mos shkulja e mentaliteti tipik enverist mes feudalit oriental dhe diktatorit folklorik stalinist – ka gjeneruar tipikisht filiza të tillë në demokraci! Sot, enverët e vegjël dhe deri më të mëdhenjtë kanë dy elementë. Nuk janë të pushtetshëm sa Enveri, sepse janë hajdutë më tepër se sa ai. Enveri vodhi njerëzit për shtetin – këta vjedhin shqiptarët për vete. 20 shkurti është ditë për të kujtuar rrëzimin e shtatores së Enverit, por jo rrëzimin e enverizmit! Sidomos nuk është rrëzuar enverizmi jo te partia trashëgimtare ose Partia Socialiste, por nuk u rrëzua enverizmi te partia që u dizenjua aparateve të KQPPSH-së të ishte pjesa më e rëndësishme e pluralizmit dhe demokracisë shqiptare! U dizenjua te PD-ja pikërisht të akuzohej komunizmi, por jo të shkulej, të shahej komunizmi, por jo të analizohej, të masakroheshin veprat e tij ekonomike dhe financiare me arsyen që të pasurohej pjesa më e krimbur e tij! U dizenjua me anën e njeriut shtatore ose Sali Berisha – që komunizmi folklorik dhe rural shqiptar të ndërtonte njerëzit shtatore të cilët rrëzonin shtatoren e Enverit për të jetuar koha dhe modeli i tij pa pasur nevojë shtatoren e tij. Ky është krimi më i madh që i ka bërë PPSH-ja në fundin e saj – demokracisë shqiptare. Po – krijimin e partisë dhe individëve shtatore! Ajo ka ndërtuar “njeriun shtatore” duke rrëzuar në 20 shkurt shtatoren e Enverit. Ka ndërtuar “partinë shtatore” (janë shumë) me kryetarët e përjetshëm të cilët deformojnë pluralizmin shqiptar, duke mos pasur asnjëherë demokraci të brendshme në partitë e tyre. Por nuk është faj i tyre! Ky është faj i shoqërisë shqiptare! Faj i madh i saj dhe padyshim një faj absolut i intelektualëve, elitës së mendimit të kultivuar. Ky është një moment tragjik i një kombi dhe shoqërie që riciklon diktatorin e shtatores në diktatorucë të vegjël si “shtatore të gjalla”. Duke qenë se janë maskarenj të mashtrimit kolosal – të tillë diktatorucë, bëjnë përditë dëme kolosale ekonomike dhe financiare, por akoma më shumë ligjore mbi këtë shoqëri. Në këtë pikë dita e rrëzimit të vetëm shtatores së Enverit, është një ditë për tu analizuar si ditë – triumfi i bijve mashtrues dhe pa ideal të Enverit! Koha kishte marrë një vendim te një pjesë e lidershipit politik ramizian në atë moment! Ata rrëzuan shtatoren për të mbajtur njerëzit shtatore në demokraci. I projektuan, i rritën dhe i mbajtën e i mbajnë sot e kësaj dite, që të prishin demokracinë ta bëjnë pronë të ish PPSH-së dhe lidershipit të zvenitur të saj në kohën e fundit të diktaturës. Ky është një moment reflektimi dhe jo vetëm për shoqërinë tonë por sidomos për ndërkombëtarët! Megjithëse ato e dinë dhe mirë fare! E dinë se një pjesë e madhe e shoqërisë properëndimore në Shqipëri janë zhgënjyer nga vijueshmëria e një “butaforie” tipike e prodhimit më të keq të diktaturës! Këto individë shtatore që hypin mbi partitë respektive dhe sundojnë si Enveri dikur, por pa pasur mundësinë e vrasjeve si ai, as talentin dhe fokacionin e tij – janë pothuaj si Enveri! Janë absolutisht mbi të gjitha partitë në Shqipëri dhe kam idenë se kështu është dhe në Kosovë. Janë dhe të pa ndershëm politikisht, sepse vazhdojnë të shpallin demokracinë, duke e përdhosur atë përditë. Kur përmenda Kosovën tashmë është e qartë se “patriotizmi” i një shumice politike është kthyer në dashuri për pasurimin dhe korrupsionin e jashtëzakonshëm që është dhe aty.

Biles dhe në marrëdhëniet mes nesh – shqiptarë atje dhe shqiptarë këtu, vijon raporti i modelit parternalist dhe njëkohësisht kokëngriturish në shtatore personale, që asnjëherë nuk do të bëjnë që kufiri Shqipëri – Kosovë, të jetë kufi shqiptar në themel dhe ekonomi të qëndrueshme. Siç ngriti “lufta nacional çlirimtare te ne partizanët e saj dhe në Kosovë po ai problem është” dhe sot në fakt “ata që ishin nuk janë, ata që janë nuk do të ishin dhe ato që janë dhe ishin – nuk janë si duhet të jenë”. Ballada e fundit e Ramës me – presidentin honorifik të “Shqipokosovës” është një lajtmotiv që tenton Brukselin, por që trazon Beogradin dhe rrumpallon Tiraprishtinën?! Rama është mjeshtër i aplikacioneve piktoreske në zyrë dhe padyshim ky talent e bën të jetë dhe “inatdashuruar” si andej dhe këndej?! Dakord kështu është në përgjithësi (nuk duhet të çuditemi) te politika shqiptare, por kjo vjen sepse ne kemi akoma një model të rrëzuar shtatoreje bronzi, kur ndërkohë kemi ngritur si ai model shumë individë si shtatore njerzore! Ky është problemi më i madh filozofik në ndërgjegjen e politikës shqiptare. Sundimtarët folklorikë mesjetarë dhe të formatuar si Enverucë të vegjël që kërkojnë të bëjnë shtatoret njerëzore në demokraci?! Ky është dhe modeli i vetëm dhe unë nuk kam parë deri tani një të vetëm në ndonjë parti të rëndësishme – ndryshe?! Asnjë për be! Për këtë e ka fajin shoqëria jonë, ne të gjithë, absolutisht të gjithë.