3 Tetor 2023

Gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour, intervistoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ky i fundit pranoi se trupat ushtarake janë tërhequr nga kufiri mes dyja vendeve, pas thirrjeve nga SHBA dhe BE, teksa u justifikua me faktin se për manovrat ushtarake vendosin drejtuesit e ushtrisë dhe jo ai. Vuçiç tha se kurrsesi nuk dëshiron një luftë me Kosovën, pasi do të ishte një konflikt me NATO-n.
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tani. Ne duam të shohim një prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë”, u shpreh presidenti serb.

Pyetjes së Amanpour nëse organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radojçiç, do të vihej para drejtësisë, ai u përgjigj duke thënë se drejtësia do të bëjë punën e saj, por pa konfirmuar nëse do ta dorëzojë atë tek autoritet e Kosovës.

“Problemi është se serbët donin të mbroheshin dhe unë nuk do të mbroj vrasjen e një polici shqiptar, nuk e bëra. E dënova”, nënvizoi Vuçiç.

Ai akuzoi Prishtinën se po kryen “spastrim gradual etnik” në veri, për të cilin Amanpour tha se Bashkimi Europian dhe SHBA nuk pajtohen me këtë vlerësim.

Ajo i ka kujtuar Vuçiçit se pas negociatave në Ohër ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “i dhemb krahu”, dhe e ka pyetur nëse ka ende dhimbje apo është gati për marrëveshje, për të cilën Vuçiç ka thënë se Serbia është konstruktive dhe këtë e kanë thënë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak.

Gazeta Sot