Rusia nuk respekton armëpushimin, pezullohet evakuimi në Mariupol

5 Mars 2022

Zyrtarët ukrainas i pezulluan planet e evakuimit të civilëve në qytetin jugor të Mariupolit, pas raporteve për të shtëna nga ushtria ruse.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka urdhëruar armëpushim në Mariupol dhe në qytetin e vogël pranë, Volnovaka, për të mundësuar evakuimin e civilëve.

Zyrtarët e Mariupolit njoftuan përmes rrjeteve sociale se “për shkak të faktit se pala ruse nuk i përmbahet armëpushimit dhe vazhdon të bombardojë Mariupolin dhe rrethinat e tij, evakuimi i popullsisë civile është shtyrë”.

Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Oleksiy Arestovych, foli për këtë çështje edhe gjatë një adresimi televiziv.

“Nuk është e sigurt të kalohet nëpër atë rrugë për shkak të këtyre granatimeve”, tha ai.

Vendoset armëpushim i pjesshëm në Ukrainë, hapen korridoret humanitare në dy qytete në lindje

Ai shtoi se qeveria ukrainase është duke biseduar me zyrtarët rusë për shkeljen e armëpushimit.

Për momentin është e pamundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur nëse luftimet janë ndalur ose jo në ndonjë moment gjatë ditës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ofensiva e saj 10-ditore në pjesë të tjera të Ukrainës po vazhdon.

Nga OraNews