Rusia goditi Ukrainën me armën “e ndaluar”, çfarë është raketa 9M729?

31 Tetor 2025
Në muajt e fundit, Rusia ka sulmuar Ukrainën me një raketë lundrimi, vendosja sekrete e së cilës e shtyu Donald Trump të tërhiqej nga një marrëveshje për kontrollin e armëve bërthamore me Moskën gjatë mandatit të tij të parë.
Kështu tha këtë të premte ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Sibikha, i cili shtoi se ky është konfirmimi i parë se Rusia ka përdorur raketën tokësore 9M729 në luftime, në Ukrainë dhe gjetkë.
Rusia ka lëshuar raketa të tilla drejt Ukrainës 23 herë që nga gushti, tha një zyrtar i dytë i lartë ukrainas për Reuters. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me shkrim për koment mbi pretendimet e Kievit.
Një raketë 9M729 fluturoi 1,200 km nga territori rus për të rënë në Ukrainë, sipas një burimi.
9M729 bëri që SHBA të tërhiqej nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF) në vitin 2019. Uashingtoni pretendoi se raketa shkelte traktatin dhe kishte një rreze veprimi shumë përtej limitit prej 500 kilometrash, megjithëse Rusia e mohoi këtë.
Raketa, e cila mund të mbajë një kokë bërthamore ose konvencionale, ka një rreze veprimi prej 2,500 kilometrash, sipas Missile Threat.
“Përdorimi nga Rusia i raketës 9M729 të ndaluar nga INF kundër Ukrainës në muajt e fundit tregon mungesën e respektit të Putin për Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjet diplomatike të Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha ndër të tjera Sibikha.
Ministri i jashtëm i Ukrainës i tha Reuters se Kievi mbështet propozimet e paqes të Trump dhe se Rusia duhet të pranojë presionin maksimal për të nxitur paqen, duke thënë se rritja e fuqisë së zjarrit me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës do të ndihmonte në bindjen e Moskës për t’i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë.
Ukraina i ka kërkuar Uashingtonit ta furnizojë me raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, të cilat nuk janë të ndaluara nga INF sepse ato lëshohen vetëm nga deti, por Rusia thotë se ky do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm.
