Riaktivizohet frikshëm zjarri në Krujë, flakët përhapen drejt banesave, rrezikohen dhjetëra banesa në disa lagje

8 Gusht 2026
Riaktivizohet në mënyrë të frikshme zjarri në Krujë, ndërsa situata paraqitet gjithnjë e më alarmante për shkak të erës, e cila ka favorizuar përhapjen e flakëve.
Helikopterët janë larguar nga zona, pasi nuk mund të vijojnë operacionet gjatë natës. Ndërkohë, në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll flakët.
Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe rrezikon seriozisht një numër të konsiderueshëm banesash në disa zona të Krujës, mes tyre lagjja Luban, Barabit dhe Abaze, si edhe zona e Rrugës së Malit, ku ndodhen biznese dhe banesa, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe drejtimet Ali Lam dhe Kërçinë.
Situata më alarmante paraqitet në lagjen Abaze, ku rrezikohen rreth 30 banesa. Në këtë lagje ndodhen rreth 300 banesa, ndërsa banorët janë në alarm.



