1 Maji 2025

Rezolutë e jashtëzakonshme Nr. 4
“Integriteti Zgjedhor në Shqipëri”
– propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD)
Duke marrë në konsideratë vullnetin e fortë dhe aspiratat evropiane të popullit shqiptar dhe
partisë sonë anëtare shqiptare brenda PPE-së;
Duke iu referuar Raportit Final të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Vendore në Shqipëri (2023) dhe
Zgjedhjet Parlamentare 2021;
Duke iu referuar Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2023 nga Transparency International;
Indeksit të Projektit Botëror të Drejtësisë për vitin 2024; dhe Raportit të Departamentit Amerikan
të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri për vitin 2023;
Duke mirëpritur vendimin e Këshillit Europian për të hapur negociatat për Kapitujt me
Shqipërinë, i kushtëzuar me zbatimin e reformave të nevojshme demokratike;
Ndërsa Shqipëria i afrohet Zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit, Partia Popullore Evropiane
(PPE) shpreh shqetësimin e saj për situatën aktuale politike. Raportet e lartpërmendura kanë
evidentuar shkelje serioze, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votës,
shkeljen e fshehtësisë dhe lirisë së votës, si dhe njëanshmërinë mediatike. Vëzhgimet më të
fundit dhe burimet e sipërpërmendura përmblidhen në përfundime të qarta: se zgjedhjet po
minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes
presionit institucional; dhe se sundimi i ligjit nuk po garantohet për shkak të kapjes së sistemit
gjyqësor dhe pandëshkueshmërisë.
Mbi 100 ankesa zyrtare janë depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga
partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke dokumentuar shkelje të
dyshuara sistematike dhe të qëllimshme, përfshirë:
• Blerjen e votës përmes dhënies së parave në dorë dhe kultivimit të kanabisit;
• Punësimet dhe praktikat e prokurimeve elektorale në favor të mbështetësve të Partisë
Socialiste;
• Abuzimin me funksionet publike dhe mediat;
• Emërimin e paligjshëm të Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas arrestimit të Erion Veliajt, pa
një proces demokratik, për të kontrolluar burimet bashkiake në funksion të fushatës 2025;
• Kërcënime dhe ndjekje penale ndaj kandidatëve të opozitës.
PPE shpreh shqetësim për:
1. Vazhdimi i abuzimit me pushtetin shtetëror
PPE vëren me shqetësim përdorimin e vazhdueshëm të burimeve publike gjatë periudhave
zgjedhore në Shqipëri. Ka raporte të besueshme për tendera, subvencione dhe inaugurime që
zhvillohen brenda periudhës katërmujore para zgjedhjeve, në kundërshtim me nenin 91 të Kodit
Zgjedhor dhe Vendimin Nr. 9/2020 të KQZ-së. Zyrtarë publikë, përfshirë ministra dhe
kryebashkiakë, janë përfshirë në aktivitete që rrezikojnë të zhbëjnë vijën ndarëse midis
qeverisjes dhe fushatës elektorale. Pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, emërimi i një
kryetari të përkohshëm ndodhi pa procedurë të rregullt ligjore apo miratim nga këshilli bashkiak,
duke ngritur shqetësime mbi autonominë vendore dhe përputhshmërinë me Kartën Evropiane për
Vetëqeverisjen Vendore. PPE inkurajon institucionet shqiptare, përfshirë SPAK-un, të zbatojnë
standardet ligjore dhe të garantojnë kushte të barabarta për të gjithë aktorët politikë.
2. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR
PPE është e shqetësuar për mungesën e vazhdueshme të progresit në zbatimin e rekomandimeve
kyçe të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. Institucionet mbeten të cenueshme nga ndikimi
politik, duke minuar mbikëqyrjen e paanshme dhe konkurrencën e ndershme elektorale. Qasja në
media është e pabarabartë, me transmetuesit publikë dhe mediat e lidhura që favorizojnë partinë
në pushtet dhe kufizojnë mbulimin e opozitës. Shkeljet zgjedhore shpesh mbeten të
pandëshkuara, duke krijuar një kulturë pandëshkueshmërie për mashtrim dhe manipulim.
3. Manipulimi elektoral dhe frikësimi
PPE vëren raporte për përdorimin e administratës publike për qëllime politike gjatë zgjedhjeve.
Skemat e punësimit, fushatat propagandistike dhe presioni mbi nëpunësit civilë për t’u angazhuar
në aktivitete partizane minojnë neutralitetin e shtetit. Blerja e votës dhe frikësimi, përfshirë
përpjekjet për të shtypur pjesëmarrjen e votuesve, janë dokumentuar, me ankesa zyrtare të
dorëzuara në KQZ dhe organet e drejtësisë. Mbeten shqetësime serioze mbi lidhjet e pretenduara
mes aktorëve politikë dhe rrjeteve kriminale, veçanërisht në emërimet kyçe në polici dhe drejtësi.
4. Shtypja e opozitës dhe lirisë së medias
PPE shpreh shqetësimin për veprimet e vazhdueshme ligjore dhe presionin ndaj liderëve të
opozitës, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive. Pluralizmi mediatik është në rrezik, me një
përqendrim në rritje të pronësisë së mediave dhe kontroll editorial që favorizon qeverinë.
Vendimi për të kufizuar aksesin në platformën TikTok para zgjedhjeve ngre pikëpyetje serioze
mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtat digjitale. Këto zhvillime e ngushtojnë hapësirën demokratike
dhe kufizojnë mundësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në një debat të hapur politik.
Thirrja e PPE-së për veprim:
PPE u bën thirrje Bashkimit Europian, OSBE-së, Këshillit të Europës dhe institucioneve
ndërkombëtare demokratike që t’i kërkojnë autoriteteve shqiptare të:
• Ndërpresin çdo formë të pretenduar të keqpërdorimit të pushtetit shtetëror, blerjes së
votës, frikësimit të votuesve dhe manipulimit elektoral;
• Sigurojnë që zyrat përkatëse të prokurorisë të hetojnë në mënyrë të plotë dhe të shpejtë,
para zgjedhjeve, të gjitha akuzat për krime të lidhura me procesin zgjedhor, të çojnë
autorët para drejtësisë dhe të vendosin një standard të qartë të hetimit dhe ndëshkimit;
• Garantojnë akses të barabartë në media për të gjithë aktorët politikë dhe të ruajnë
mbikëqyrjen e pavarur të procesit zgjedhor.
PPE gjithashtu i bën thirrje institucioneve evropiane, OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Europës
që të:
• Dërgojnë më shumë vëzhgues afatgjatë në bashkitë me rrezik të lartë;
• Dokumentojnë publikisht dhe të denoncojnë abuzimet elektorale në raportet
përfundimtare;
• Mbështesin mekanizmat institucionalë që sanksionojnë keqpërdorimin sistematik të
fondeve publike;
• Zbatojnë mekanizmat e kushtëzimit në procesin e anëtarësimit në BE, nëse shkeljet
vazhdojnë.
• Detyrimet e Shqipërisë sipas Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së (1990), Kartës
Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe udhëzimeve të Komisionit të Venecias mbi
keqpërdorimin e burimeve administrative gjatë zgjedhjeve duhet të respektohen dhe të
zbatohen në tërësi.
• PPE do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri, duke mbështetur aspiratat e saj
europiane dhe duke vijuar mbështetjen për forcat demokratike në vend. PPE do të
bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar që procesi zgjedhor të
përputhet me parimet demokratike europiane dhe të ofrojë një kuadër për zgjedhje të lira
dhe të ndershme.