Ramiz Kovaçi

22 Mars 2026

Në përvjetorin e lindjes së tij, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor kujtoi me nderim të veçantë “Nderin e Kombit”, baritonin e shquar Ramiz Kovaçi, një nga figurat më të mëdha të artit dhe kulturës shqiptare.

I diplomuar me Medalje të Artë në Konservatorin e Sofjes dhe i specializuar në Akademinë “Santa Cecilia” në Romë, Kovaçi u shqua si një ndër emrat më të rëndësishëm të skenës lirike shqiptare, duke ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme si solist i parë i Teatrit të Operës dhe Baletit.

Me një nivel të lartë interpretimi, ai solli në skenë një galeri të pasur rolesh nga repertori shqiptar dhe ai botëror. Kovaçi interpretoi në vepra të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, si Prenkë Jakova, Tish Daija, Avni Mula, Giuseppe Verdi, Gioachino Rossini, Ruggero Leoncavallo dhe Giacomo Puccini.

Ndër operat ku ai interpretoi role kryesore përmenden “Skënderbeu”, “Borana”, “Mrika”, “Toka Jonë”, si dhe kryevepra të repertorit botëror si “La Traviata”, “Rigoletto”, “Pagliacci”, “Madama Butterfly”, “La Bohème”, “Carmen” dhe “Berberi i Seviljes”.

Ramiz Kovaçi, njeriu dhe artisti i madh që i dha zë, dinjitet

Përtej operës, Ramiz Kovaçi ka lënë gjurmë të vyera edhe në interpretimin e këngës popullore, duke dëshmuar një lidhje të fortë me traditën muzikore shqiptare.

Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Institutit të Lartë të Arteve, ku si pedagog përgatiti breza të tërë këngëtarësh që sot performojnë me sukses në skena kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për kontributin e tij të çmuar, Kovaçi është nderuar me tituj dhe çmime të larta, ndër të cilat “Nder i Kombit”, “Artist i Popullit”, “Qytetar Nderi i Krujës”, “Urdhri Naim Frashëri i Klasit të Parë”, si dhe vlerësime të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Veprimtaria e tij artistike u shtri edhe në arenën ndërkombëtare, me pjesëmarrje në turne dhe festivale në Europë dhe më gjerë, duke përfaqësuar me dinjitet artin lirik shqiptar.