Rama: – Shqipëria do të dalë në tregjet ndërkombëtare për borxh

31 mars  2020

Shqipëria është në pritje të përgjigjes pas kërkesës zyrtare që i ka dërguar NATO-s për ndihmë me respiratorë për t’u përballur me pandeminë e koronavirusit.

“Ne kemi bërë të njëjtën procedurë, por nuk e di pse nuk është bërë lajm, por kjo nuk është puna jonë. Ne kemi ndjekur procedurën që kanë ndjekur dhe vendet e tjera. Nuk jam i informuar nëse ka pasur një përgjigje dhe nëse do të kishte pasur do të isha informuar”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në një intervistë për TCH.

Rama tha se dy javët e para të muajit prillit do të përcaktojnë edhe më tej efektivitetin e masave kufizuese të ndërmarra nga Qeveria. Në varësi të rezultateve që do të shfaqen përgjatë këtij dyjavëshi, Kryeministri paralajmëroi se mund të lehtësohen masat kufizuese.

“Prilli do të jetë prova e zjarrit, veçanërisht dy javët e para të prillit. Do të na tregojnë më tepër, gjithmonë duke ndjekur krahasimisht me vendet e tjera atë kurbën statistikore dhe do të mund të na thonë sesa mirë ka funksionuar vija mbrojtëse dhe sesi mund të fillojmë të mendojmë për hapje shumë të ngadaltë dhe shumë graduale”, vijoi ai.

Kryeministri i mëshoi rëndësisë së ruajtjes së stabilitetit financiar, për të garantuar, siç tha ai që vendi të mos katandiset në një shtet që nuk i jep kredi askush. Rama paralajmëroi se në maj Shqipëria do të dalë në tregjet ndërkombëtare duke hedhur një eurobond, ashtu siç ishte planfikuar para pandemisë. Pandemia duket se do të ndryshojë edhe shumën, edhe kushtet e kredisë, megjithëse Rama nuk përmendi shifra.

“(Eurobondi) Ishte në plan edhe më përpara për t’u bërë, do të bëhet në kushte shumë të ndryshme dhe shumë më të vështira. Ne duhet të garantojmë në vazhdimësi që jemi një vend i financueshëm, që të tjerët të mund të na besojnë para, qoftë edhe si borxhe dhe të mos katandisemi në një vend që nuk financohet. Do të dalim në maj në tregjet e kapitaleve dhe në këto tregje duhet të dalim që të tregojmë që jemi një vend i financueshëm”, u shpreh ai.

 

e.k / dita