2 Prill 2026

Që kur mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut qeveria shqiptare ka marrë kritika edhe për një pengesë të mundshme për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me studentët paralajmëroi se dera që është hapur që Shqipëria të futet në Bashkimin Evropian, mund të mbyllet.

Sipas tij, Shqipëria do bëjë të pamundurën që të mos bëhet sebep që kjo derë të mbyllet, por theksoi se “mund të mbyllet se ata mund të rikthehen në një situatë dhe të thonë “po prit njëherë””.

“Është një moment që mund të bëjmë historinë, duke hyrë në BE. Është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera dhe ne nuk do bëhemi sebep.

Por dera mund të mbyllet, pas një viti, dy apo tre vitesh. Mund të mbyllet se ata mund të rikthehen në një situatë dhe të thonë “po prit njëherë”. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë maksimumin këto vite ku duket që dera është e hapur. Nuk duhet të humbasim fokusin me lloj lloj…se nuk jam këtu për të bërë politikën e përditshme që bëhet këtu, por  jam duke folur për politikën që duhet të bëjë çdo shqiptar dhe për mënyrën se çdo shqiptar duhet ta dallojë politikën e madhe. Politika e madhe është të bëhemi anëtar i BE, pjesa tjetër është politikë këtu”, tha Rama.