19 Tetor 2022

Kryeministri Edi Rama po humb terren dhe duket se po braktiset nga të gjithë aktorët e rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, madje së fundmi edhe nga Gjermania. Vëmendja e madhe e kancelarit gjerman Olaf Sholc për Ballkanin Perëndimor po sinjalizon qartë fundin e kohës së Merkelit, duke sjellë një dimension të ri në qasjen e Gjermanisë ndaj politikës rajonale dhe botërore.

Kancelari gjerman ka qenë më i qartë se çdo lider evropian, apo zyrtar amerikan për politikat ballkanike në kuadër të Procesit të Berlinit. Qëndrimi i tij ndaj dyshes Rama-Vuçiç po tregon se koha e eksperimenteve të Merkelit me Ballkanin ka përfunduar, ku padyshim dy “koketat” e Merkelit nuk do të jenë më zbatuesit e lojërave të dyshimta ruso-serbe në rajon.

Gjatë gjithë turneut të tij, kancelari gjerman përplasi në brigjet e tij projektin e pistë të Ballkanit të Hapur, duke “hedhur në erë” projektin ogurzi antishqiptar. Nëse Lavrov e demaskoi këtë projekt, si pjesë e një diversioni për të futur vendet e Ballkanit në sherr me Brukselin, duke i dhënë “Puthjen e Vdekjes”, kancelari gjerman ishte ekzekutuesi i pazareve Vuçiç-Rama Planet e “dy llastiqeve” të Merkelit po hidhen në erë pikërisht nga Berlini.

Procesi i Berlinit nuk duhet të dublohet

Gjermania zbuloi hapur qëndrimin e qartë dhe të fortë për Ballkanin e Hapur. Ambasadorja e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor tha se Procesi i Berlinit nuk duhet të dublohet.

“Procesi i Berlinit u krijua si një platformë për të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të vepruar si një katalizator për të përshpejtuar integrimin e tyre në BE dhe natyrisht, edhe integrimin rajonal. Ne besojmë që gjithëpërfshirja e të 6 shteteve është shumë e rëndësishme. Ballkani i Hapur deri tani është një nismë që funksionon në tre shtete. Ne jemi që gjithëpërfshirja në proces është e rëndësishme dhe që nuk duhet të ketë një dublim, por duhet punuar dorë për dore.

Është shumë e rëndësishme gjithashtu që të gjitha marrëveshjet e finalizuara në nismën e Ballkanit të Hapur të jenë në përputhje me acqui-të e BE-së sepse nëse jo, më vonë o të jetë më e vështirë për t’i riformatuar sipas standardeve dhe rregulloreve të BE”, u shpreh ambasadorja pak ditë më parë.

Aktivizohet “Procesi i Berlinit”

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz. Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal. Mbajtja e këtij samiti, nga njohësit e integrimeve evropiane shihet edhe si vëmendje politike e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Takimi i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj sepse ne nuk mund të parashikojmë përmbajtjen e bisedimeve. Për detaje të tjera rreth takimit do të njoftojmë me kohë”, ka zbuluar qeveria gjermane. Mesa duket Berlini ka nisur të vendosë në zbatim planin që gazeta “SOT” e ka paralajmëruar muajt e fundit. Pra 3 nëntori nxjerr jashtë loje nismën e përbashkët midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut e quajtur “Ballkani i Hapur” duke i dhënë një goditje direkte kryeministrit shqiptar Edi Rama, president serb Aleksandër Vuçiçit.

Berlini i jep përparësi procesit të integrimit në Bashkimin Europian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet nismës Procesi i Berlinit.

Rëndësia e “Procesit të Berlinit”

Procesi i Berlinit do të riaktivizohet sërish nga Gjermania. Por çfarë rëndësie ka projekti gjerman për rajonin? Së pari, ky projekt tregon angazhimin e BE ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tyre. Gjithashtu, procesi i Berlinit ndihmon vendet e rajonit tonë të cilat vuajnë ende nga problemet e njohura ekonomike dhe politike, por edhe nga një traditë jo shumë pozitive bashkëpunimi rajonal. Më e rëndësishmja e këtij projekti është se Bashkimi Evropian ofron asistencë dhe mbështetje të shtuar për vendet e rajonit për sa i përket konsolidimit të financave publike, forcimin e rritje ekonomike dhe punësimit të të rinjve si dhe rritjen e investimeve.

Pra, e përgjithshmja është se procesi i Berlinit nuk zgjidh problemet e secilit vend të Ballkanit Perëndimor apo problemet që këto vende kanë ndërmjet tyre, por ky projekt hedh bazat për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën politike, ekonomike, kulturore dhe infrastrukturore dhe bashkëpunimi në këto fusha jetike i bën vendet më të përgjegjshme dhe më të predispozuara t’i tejkalojnë problemet që kanë mes tyre.

Nga Elmas BOGDANI