Putin paralajmëron Europën: – Nuk duam luftë me ju, por nëse e kërkoni jemi gati

2 Dhjetor 2025
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të martën se Moska “nuk kërkon luftë me Europën”, por paralajmëroi se “nëse Europa kërkon të luftojë, ne jemi gati që tani”.
Në një sërë deklaratash me tone të ashpra, dhënë disa minuta para takimit të paralajmëruar me të dërguarit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në Kremlin, Putin akuzoi qeveritë europiane se po sabotojnë procesin e paqes dhe theksoi se “kërkesat europiane nuk janë të pranueshme për Rusinë”.
“Sot janë europianët ata që po i pengojnë Shtetet e Bashkuara të arrijnë paqen në Ukrainë”, u shpreh ai.
Putin nuk specifikoi se cilat janë kërkesat e Europës që Moska i konsideron të papranueshme, por komentet e tij duket se synojnë të thellojnë përplasjen mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve europiane.
Këto të fundit kanë mbështetur Kievin në propozimet për rishikimin e një plani paqeje me 28 pika, i hartuar më herët në bisedimet SHBA–Rusi dhe që favorizonte ndjeshëm Moskën.
Gjatë deklaratës, Putin kërcënoi edhe me hakmarrje ndaj porteve dhe anijeve të Ukrainës, pasi Kievi ka goditur ditët e fundit disa mjete të flotës së ashtuquajtur “hije” të Rusisë në Detin e Zi.
Ai paralajmëroi se Rusia do të “shtrëngojë goditjet ndaj porteve ukrainase dhe çdo anijeje që hyn në to”, nëse vazhdojnë sulmet ndaj cisternave ruse, të cilat ai i cilësoi si “akte piraterie”.
tvklan
