PS dhe populizmi bajat Nga Kanabisi, te Ballkani i Hapur

PS dhe populizmi bajat: – Nga Kanabisi, te Ballkani i Hapur, disa kauza që nuk i nxe dot thesi i “Këshillimit Kombëtar”

16 Prill 2022

Nga Artan Duka

Këshillim apo karshillëk kombëtar!

Po bëhet rutinë për qeverinë që përfundimet e Këshillimit Kombëtar t’i përdorë si referencë për qëndrimin e saj ndaj disa çështjeve të rëndësishme në vënd.

Pavarësisht risisë së masivitetit, Këshillimi Kombëtar mbetet një lloj sondazhi dhe si i tillë me pikëpyetje, kundërshti, paragjykime e hamëndje plot nga organizimi, financimi, trumbetimi, pasojat etj.

Për rrjedhojë, duke mos qënë as referendum dhe as zgjedhje e përgjithshme, ai nuk ka as peshën dhe as tagrin për plotfuqi për veprim të mëtejshëm politik.

E thënë kjo, qeveria është gjithmonë e lirë të bëjë çfarë gjykon të arsyeshme e të kuturiset me projekte deri përtej programit zgjedhor që e votëbesoi, edhe pa “viston” e Këshillimit Kombëtar. Se sa mirë apo keq vepron, nëse vizion apo abuzim, këtë koha e vota më pas e tregon.

Pjesëmarrja e gjërë qytetare në Këshillimin Kombëtar nuk është “vulë” për të shtypur “butonin” më pas. Ai është sondazh për reflektim dhe jo argument për veprim ndryshe degradon në alibi e truk politik ndaj vullnetit të qytetarit dhe standartit të përfaqësimit në demokraci.

Ndryshe nga referendumi apo zgjedhjet, Këshillimi Kombëtar, si inisiativë politike e një pale, u paragjykua apo u shpërfill jo pak, duke mos ofruar kësisoj as debat dhe as dialog (bile as monolog) për çështje që na prekin të gjithë.

Temat e rëndësishme që përmbante Këshillimi Kombëtar duhet të jenë pjesë një debati gjithëpërfshirës dhe të detajuar mes të gjitha palëve dhe shumica që vendos është shumica e votës.

Kjo jo se vota dhe shumica janë garanci absolute të së drejtës. Historia është e mbushur me fatkeqësira e autoritarizëm në emër të vullnetit të shumicës (bile, politikanët tanë të shndërruar në fetarë të thekur e dinë mirë se turma dikur zgjodhi… Barabasin!).

Por vota dhe shumica janë më e mira në dispozicion dhe nëse vihet në pikpyetje vota, aq më shumë vihen në pikpyetje sajesa si Këshillimi Kombëtar.

Kauza që nuk i nxë dot “thesi” i Këshillimit Kombëtar

Kur vjen puna tek legalizimi i kanabisit mjekësor, çështja nuk është thjesht vullnet shumice por dhe peshe e argumentit shkencor. Nëse mjekësia e njeh rolin e tij dhe ka treg për të sepse shpëton apo përmirëson cilësinë e jetës, ia vlen të merret në konsideratë edhe pa “viston” e Këshillimit Kombëtar.

Ndërmarrja e sfidave të ditës është tipar i drejtuesit vizionar dhe sa kohë çështja debatohet mes profesionistëve dhe më tej në publik, proçesi kanalizohet në rrugë ligjore dhe shteti e administron korrektësisht atë, Këshillimi Kombëtar mbetet i pavënd.

Ndryshe, sesa llogjika shkencore është Këshillimi Kombëtar ai që aprovon duke krijuar një preçedent për legalizime të mëtejshme kontradiktore në të ardhmen sikurse kanabisi për argëtim etj fenomene sociale tabu.

Ballkani i Hapur është një tjetër “elefant” që nuk mund të struket dot pas një Këshillimi Kombëtar.

Është një çështje parimore e vizionare, bile e vonuar në kohë, që si pararendëse e futjes në BE, i jep paqes e bashkëpunimit rajonal një shtysë më tej. Shmangja e kufinjve është një shtysë për njësimin e kombit shqiptar në rajon. Jemi të ndarë në disa shtete dhe aq sa heqja e kufijve mund të interpretohet si rikthim i Jugosllavisë po aq mund të përjetohet edhe si bashkimi historik i shumëpritur shqiptar!

Një realitet që do e prodhojë nesër anëtarësimi në BE ku sërisht Serbia e fantazma e Jugosllavisë do jenë po aty.

Sfida është ballafaqimi ekonomik në rajon si shtysë për investime e reformim për më tej dhe jo shmangja e konkurrencës, ndryshe, kot që kuturisemi për në BE ku tregu i hapur mbetet premisa bazë. Sa kohë Serbia është vullnetmirë për integrimin në BE, Ballkani Hapur është kohë e fituar për rajonin në rrugëtimin drejt BE.

Koha do të dëshmojë nëse aspirata e Sërbisë drejt BE tejkalon apo jo ndjeshmërinë tradicionale pro-ruse apo atavizmat historikë për realitetin në Kosovë. Ballkani Hapur është një mundësi më tej për të testuar më herët vullnetin e Sërbisë jo vetëm ndaj bashkëpunimit në rajon por dhe vetë synimeve për në BE.

Sa kohë Kosova nuk njihet nga Serbia dhe ajo nuk merr pjesë në të, ai mbetet projekt gjysmak. Ndaj dhe qeveria shqiptare ka detyrimin historik për të argumentuar e vënë kusht njohjen e Kosovës nga Serbia për jetësimin real të tij, ndryshe, Serbia nuk e ka seriozisht.

Një kusht ky që vetë BE ia ka vënë Serbisë për pranimin në të. Dhe nëse Serbia e refuzon, ajo jo vetëm Ballkanin e Hapur por as futjen në BE nuk e ka seriozisht dhe lepuri fle gjetiu.

Por ndërsa për futjen në BE, veton e ka tjetërkush (A do të pranojë BE një kalë-troje të Rusisë që ka probleme territorale në rajon?!), për Ballkanin e Hapur veton e kemi vetë në dorë sa kohë Serbia vijon me avazin e saj.

Ballkani Hapur ka nevojë për vizion, gjithëpërfshirje, realizëm dhe jo këmbëngulje në delir me dekor Këshillimin Kombëtar.

Këshillim apo karshillëk kombëtar!

Ndonse si shoqëri jemi një në dëshirën euro-atlantike, ndahemi në shumë çështje të tjera me rëndësi nga qëndrimi ndaj së shkuarës, prona, drejtësia, instrumentalizimi i fesë nga politika, tabutë sociale etj.

Nëse koha kërkon ndryshim, veprimet konkrete nuk ka pse bazohen në Këshillime Kombëtare me shumica hipotetike por në oferta politike dhe verdiktin e shumicës zgjedhore.

Qeveria Rama ngjan me “fat” kur mendon se ka përballë opozitë që nuk i peshon fjala por që realisht është ngërç për demokracinë. Autoritarizmi nuk ka “brirë” dhe servirja e Këshillimit Kombëtar e citimi i shifrave në kor si argument duke krijuar një preçedent për më pas, është një ogur që mbetet për t’u parë.

Pas tre fitoreve rradhazi, PS dhe qeveria e saj duhet të dëshmojnë akoma më tej përulësi dhe ndroje përballë qytetarit shqiptar, sidomos kur nuk ka rival politik.

Këshillimi Kombëtar nuk ka përse trumbetohet përtej rolit modest të tij dhe “basti” politik me rezultatet e tij nuk çon kund dhe si kryeministri, ashtu dhe “rreshtorët” pas, nuk vënë peng vetëm karrierat e tyre por dhe fatin e PS.

Dikur skenë e shumë “solistëve”, sot PS ka vetëm një të tillë me një “kor” të madh pas gjë që në politikë shkurajon apo deformon të renë në parti. Ajo që po ndodh sot në PD që mbajti gjatë të gjitha “vezët në një shportë”, mund të ndodhë nesër në PS.

Për fat, ndryshe nga PD, ajo është ende në kohë për t’u mos u bërë pre e “unitetit” që prodhon pushteti i gjatë dhe lidhjes së fatit të partisë me të individit pakthim.

Duke filluar me Këshillimin Kombëtar që nuk duhet të kapërcejë rolin e tij duke spekuluar me vullnetin e shumicës, ndryshe, rrezikon të degradojë në populizëm bajat dhe karshillëk kombëtar!