Popullata e Kosovës para sundimit osman ishte e krishterë. Organizimi i Kishës në Kosovë mund të ndiqet nga antikiteti i vonë e përgjatë mesjetës përmes burimeve historike, arkeologjike, etnologjike e onomastikës. Edikti Milanos (313), kishte legalizuar edhe organizimin kishtarë në Dardani. Përmes statusit të veçantë administrativ e juridik, provinca e Dardanisë kishte metropolinë të sanksionuar me Koncilin e Nikesë, të konvokuar në vitin 325. Kjo Kishë do të jetë më vonë element i fortë krishtërizues i ardhësve sllavë në Ballkan. Përgjatë shek. IV-V, organizimi kishtarë në Iliri mori hovë të madh. Vetëm në Dardani vepruan 5-7 Ipeshkvni. Pas tërmetit të vitit 518, ku u rrënuan shumë qendra kishtare të Dardanisë, selia kishtare kishte kaluar nga Scupi (Shkupi i rrënuar ) te Justiniana Prima (sot Caričin Grad te Lebana), e cila sipas Novelës XI të Perandorisë Bizantine (prill 535) nga Ipeshkvia është ngritur në rangun e argjipeshkvisë. Argjipeshkvia në fjalë, përfshinte këto dioçeza: Dacia Medierranea, Dacia Ripensis, Moesia Superior, Dardania, Prevalis, Macedonia Secunda dhe Panonia Secunda. Catellianus ishte argjipeshkvi parë, Benenatus i dyti, Johannes i treti, i njohur edhe prej letërkëmbimit të tij me Papa Gregorin e Madh (540-604). Organizimi kishtar ishte realizuar sipas ndarjes administrative të Perandorisë Romake.

Dyndjet gote, hune, avare e sllave, si dhe të ndonjë popullate tjetër të ardhur nga Veriu dhe Lindja përgjatë shekujve V-VII, janë shoqëruar më dëme shumë të mëdha dhe më ndërrimin e hartës kishtare të Dardanisë, që kishte përfshirë, pothuajse të gjitha qendrat e njohura: Scupi, Justiniana Prima, Justiniana Secunda, Naisus e Remesiana, e ndonjë tjetër. Dyndjet kishin ndërprerë edhe lidhjet me Papatin, për t’u shkëputur për një kohë me të gjatë, sidomos nga mesi i shek. VIII, kur Iliriku Lindor iu bashkëngjit Kostandinopojës. Jashtë ndikimit të Kishës Bizantine kishin mbetur ende Ipeshkvia e Shkupit dhe e Prizrenit. Pas shkatërrimit të Justiniana Secunda, si vazhduese e Ulpianës, kjo ipeshkvi mori ingjerenca juridike e titullare. Në fakt, edhe pse Ipeshkvia e Prizrenit përmendet në dokumentet e perandorit bizantin, Bazilit II (1019/1020), ka dëshmi të tërthorta se kjo ipeshkvi përmendet më herët (në vitin 458), në kontekst më Koncilin e Kalcedonit të mbajtur në vitin 451. Ipeshkvia e Prizrenit (përfshinte Rrafshin e Dukagjinit) dhe Lipjanit (përshinte Rrafshin e Kosovës) sipas dokumenteve të Bazilit II kishte hyrë nën juridiksionin e Argjipeshkvisë së Ohrit. Ndikimi i Kishës Bizantine ishte i fuqishëm, sidomos pas ndarjes së kishave në vitin 1054.

Me zgjerimin e shtetit nemanjid, zgjerohet edhe Kisha Ortodokse e Rashës (Serbisë nemanjide) me të gjitha tiparet që i zotëronte Kisha Ortodokse e Bizantit. Kisha Ortodokse e Rashës, deri më 1219, ishte nën juridiksionin e Argjipeshkvisë së Ohrit; me iniciativë e ipeshkvit Sava në vitin 1219, ajo u shpall e pavarur, me seli në Zhiçë të Rashës. Brenda saj është themeluar peshkopta e Hvosnës me seli në Studenicë të Istogut (“Mala Studenica”). Pas sulmeve bullgaro-tataro-kumane nga gjysma e dytë e shek. XIII, selia e Zhiçës u bart në Pejë për tu kthyer më vonë sërish në Zhiçë. Krahas shpalljes së Perandorisë së Rashës në krye me Stefan Dushanin në vitin 1346, kryepeshkopata ngritët në shkallë të Patriarkanës Ortodokse në Pejë.

Fotografia: Muranat e Kishës Katedrale të Novobërdës.

Aksioni i Papatit në Kosovë mori hov në veçanti nga fillimet e shek. XIII e sidomos në shek. XIV. Burimet e kohës njoftojnë për ekzistimin e famullive katolike në Kosovë. Në këtë kontekst, dokumenti i vitit 1303, që doli nga Kuria papnore , atëherë e kryesuar nga Papa Benedikti XI (1303-1306), ndër pesë famullitë katolike të Mbretërisë Nemanjide, përmendën: Famullia e Trepçës (De Trepzo) dhe Famullia e Graçanicës (De Grazaniza). Ndërsa një dokument tjetër i vitit 1346, që doli nga zyra papnore e Papës Klementit VI (1342-1352), njofton se, për sufragan të Ipeshkvisë së Kotorrit, janë përmendur këto famulli: Prizrenit, Novoberdës, Janjevës dhe Trepçës. Në këtë kontekst, burimet e arkivave raguzane përmendin edhe ekzistimin e famullisë katolike në Prishtinë, e cila rezidonte në kishën famullitare, Shën Mëria. Interesimi i Papatit për katolikët shprehet sidomos në shek. XIV-XV. Atëbotë, Papa Bonifaci IX (1398-1404), në vendin e zbrazur për ipeshkëv të Prizrenit, zgjodhi dominikanin, Georgium Pandusium (1404). Më vonë, në vitin 1431, Papa Eugjeni IV (1432-1447) dërgon raguzanin Johannes Stoichouich në koncilin kishtarë të Bazelit. Qëllimi i Papës ishte përqendruar që, përmes realizimit të unionit, t’i përfitonte edhe famullitë e Kosovës. Më pastaj, në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm për historinë e Kishës Katolike të Kosovës, qe angazhuar edhe humanisti, Gjin Gazulli, doktor i shkencave (1430), një profesor në Universitetin e Padovës, si dhe diplomat i shquar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Me depërtime osmane nga mesi i shek XV, famullitë romane të Kosovës do të kalojnë nga juridiksioni i Ipeshkvisë së Kotorrit nën atë të Arqipeshkvisë së Tivarit, e cila do të sundohet nga osmanët në vitin 1471.

Fotografia në Ballinë: Muranat e Kishës Katedrale të Novobërdës