20 Nentor 2025

Reshjet e shiut kanë vijuar pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Lezhës. Sipas të dhënave nga Stacioni Meteorologjik Ushtarak në Gjadër, janë regjistruar 25 mm reshje shiu.

Bashkia Lezhë – Situatë e rënduar në Vain

Problemet më serioze janë shfaqur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar, ku është shkaktuar një çarje rreth 40 metra e argjinaturës mbrojtëse në pjesën jugore të lagunës së Vainit.

Gjatë gjithë natës ka vijuar puna intensive për mbylljen e çarjes, ku janë përdorur 12 kamionë me inerte (2 nga Forcat e Armatosura, 10 nga bashkia dhe subjekte private).

Situata paraqitet kritike pasi uji i kripur i lagunës vazhdon të derdhet në kanalin e Hidrovorit të Tales, duke devijuar rrjedhën natyrale të tij dhe duke shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore në zonat depresive.

Hidrovori i Tales është aktualisht jashtë pune.

Hidrovoret e tjerë të zonës funksionojnë normalisht.

Mësimi në shkolla zhvillohet pa ndërprerje.

Probleme me energjinë elektrike

OSHEE Lezhë raporton dy fidera me avari:

Fideri 11 Kallmet, që furnizon Fishtë, Blinisht, Baqel, Kodhel, Kallmet, Trashan, Piraj dhe Krajën.

Fideri Ujësjellës Rrile, që furnizon Rrilën, Barbullojen dhe një pjesë të autostradës.

Mijëra familje në Zadrimë kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e defekteve të shumta në rrjet.
Bashkia Kurbin

Nuk raportohen problematika të reja, përveç punimeve në rrugën Skuraj – Gallatë – Vinjollë.

OSHEE Kurbin njofton mungesë energjie në 2 kabina elektrike në Skuraj, për shkak të dëmtimit të shtyllave.

Bashkia Mirditë

Strukturat vendore raportojnë se nuk ka problematika të reja, përveç atyre ekzistuese.
Sot mjetet bashkiake do të përqendrohen në zonat më problematike, veçanërisht në Fan, për rehabilitimin e rrugëve të bllokuara.

OSHEE pritet të vijojë punën për zëvendësimin e transformatorëve të djegur në Katund të Vjetër dhe Bukmirë, si dhe riparimin e defekteve të tjera për normalizimin e situatës.

Nga Drejtoria Arsimore nuk raportohen probleme.

Niveli i lumenjve

Niveli i lumit Drin ka shënuar rritje, por aktualisht mbetet brenda kuotave të sigurta.

Institucionet mbeten në gatishmëri dhe në komunikim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës.