Problemet në “rrugën e florinjtë” të Belinda Ballukut s’kanë të sosur, rrëshqitje dherash dhe gurësh! Bllokohet qarkullimi në aksin Qukës–Qafë Plloçë! drejtuesit këshillohen që…

8 Shkurt 2026
Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë është bllokuar sërish rreth orës 02:00 të ditës së sotme, si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe rënies së masiveve të gurëve në trupin e rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, punimet jashtë standardeve dhe reshjet e fundit kanë shkaktuar destabilizim të terrenit, duke sjellë sërish probleme këtë të diel në këtë segment rrugor, i cili prej kohësh mbetet një zonë problematike për qarkullimin.
E cilësuar edhe si “rruga e florinjtë” me vlerë të paktën 260 mln euro, ajo u ndërtua nga dikasteri i drejtuar nga ish-zv/kryeministrja dhe ministrja Belinda Balluku, e pandehur dhe me masë sigurie pezullim nga detyra prej GJKKO e SPAK, që mbeti në fuqi edhe pas vendimit të Kushtetueses të premten.
Për pasojë, qarkullimi i mjeteve është ndërprerë, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative deri në njoftimin e radhës.
Pritet ndërhyrja e strukturave përkatëse për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit, ndërkohë që situata po monitorohet për shkak të rrezikut nga rrëshqitje të tjera.
Policia rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të natës dhe në kushte të pafavorshme atmosferike.

