Prizreni i një kohe tjetër me artefakte deri në 300-vjeçare. –

Hyrja në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren, në kohën kur funksiononte si banjë publike, supozohet se është bërë me pagesë.

Qëndrueshmëria e këtij supozimi bazohet në monedhën e argjendtë të periudhës osmane të gjetur në këtë monument të trashëgimisë kulturore. Këtë mjet pagese, një dekadë më parë e kanë gjetur punonjësit e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit gjatë punimeve të pastrimit brenda Hamamit, shkruan sot Koha Ditore. Tashmë në formë fotografie ajo është rikthyer në vendin ku ishte gjetur.

Që prej kësaj jave publiku mund ta shohë atë dhe të informohet për detajet e kohës së gdhendjes dhe përmbajtjen e dekorimeve në kuadër të ekspozitës së titulluar “Dokumentet Osmane nga shekulli XVIII-XIX të gjetura në Komunën e Prizrenit” të përgatitur nga autorja Mediha Fishekçiu, bashkëpunëtore për orientalistikë në QRTK-në në Prizren.

“Para 10 vjetësh e kemi bërë një pastrim më të thellë të Hamamit dhe e kemi gjetur këtë monedhë. Dihet se Hamami ka qenë publik, domethënë kush ka pasur para ka mundur të hyjë në Hamam për pastrim. E kemi ekspozuar monedhën e argjendit, që publiku ta dijë me këso monedhe argjendi që është paguar hyrja në Hamam”, ka thënë Fishekçiu.

Sipas saj, kjo ekspozitë synon prezantimin dhe përhapjen e thesarit të pasur të dorëshkrimeve dhe aseteve të trashëgimisë së luajtshme të trashëguara nga Periudha Osmane.

Në ekspozitë mund të shihen edhe certifikatat e lëshuara nga ushtria osmane, listat poseduese të shtetit osman, vula të asaj periudhe, vendime, monedha, e shumëçka tjetër.

Në një material të përgatitur nga QRTK-ja për këtë ekspozitë shkruhet se pas pushtimit të Prizrenit nga Perandoria Osmane në shekullin XV, qyteti u bë qendër e Sanxhakut dhe si i tillë mbetet deri në vitin 1868, ku rëndësia e tij vjen duke u rritur. Tutje thuhet se duke përfituar nga pozicioni i tij i favorshëm gjeografik në rrugët e rëndësishme tregtare që e lidhën atë brenda Perandorisë Osmane, Prizreni u bë një nga qendrat më të rëndësishme artizanale dhe tregtare gjatë shekujve XVIII-XX. Nga kjo periudhë, sipas QRTK-së, Prizreni ka trashëguar një numër të madh të monumenteve të trashëgimisë së paluajtshme sikurse xhamitë, medresetë, teqetë, tyrbet, bibliotekat, krojet, komplekset e banimit, ndërtuesit e të cilëve ishin personalitete të njohura të kohës.