21 Qershor 2023

Nga  Zeno Jahaj

 Nëpërmjet prezantimit të të ashtuquajturës “Iso-Polifoni Shqiptare” në UNESCO, Agjensi e OKB-së, është legalizuar shpronësimi i identitetit të Polifonisë Shqiptare, e bashkë me të, edhe i historisë dhe gjeografisë kombëtare shqiptare. Për ta kuptuar këtë gjëmë, shqiptarët, bartësit e polifonisë popullore shqiptare, profesorati i të gjitha fushave, politikanët, janë të lutur të lexojnë, ose të kërkojnë t’iu përkthehen, titrat e videofilmit “Mix – Albanian Iso polyphony” (fotoja më poshtë) në linkun: “archives/multimedia/document-610”.
Ky videofilm është “Formulari për Regjistrim në UNESCO”, domethënë Dosja e kandidaturës shqiptare të të ashtuquajturës “Iso-Polifoni”, paraqitur nga institucionet e Shtetit Shqiptar në vitin 2005.
Për këtë akt, institucionet përkatëse, përkatësisht Ministria e Kulturës, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Drejtoria e Radio Televizionit Shqiptar dhe Akademia e Shkencave, janë informuar në media që prej Nëntorit 2022 dhe me një Rezolutë mbarëkombëtare që nga Prilli 2023, të cilat, për përgjigje, kanë zgjedhur heshtjen. Çka do të thotë se individët përgjegjës janë ose të paaftë, ose të papërgjegjshëm personalisht / institucionalisht, ose të shitur dhe / të blerë, ose misionarë.
Shpronësim i historisë dhe gjeografisë zyrtare kombëtare
Në Formularin e prezantimit në UNESCO të të ashtuquajturës “Iso-Polifoni Shqiptare”, nuk përmendet asnjëherë termi zyrtar “Shqipëri”! Përmendet disa herë vetëm gjysma jugore e Shqipërisë, të cilën, misionarët e kanë cilësuar me termin jozyrtar “Epir”, ashtu siç gjysmën veriore të saj e kanë cilësuar “Iliri”. Kanë marrë përsipër edhe atribute për ndarje kufijsh, kur, në Formular, shkruajnë: “Iso-Polifonia Labe në ish territoret e Epirit të Lashtë”! Shkruajnë, madje, se e ashtuquajtura “Iso-Polifoni Shqiptare” na qenkërka zhvilluar vetëm në Përmet, Korçë, Leskovik, Vlorë dhe Delvinë, duke fshehur që polifonia këndohet po ashtu edhe në Pogradec, Gramsh, Berat, Skrapar, Fier, Strugë, Ohër, Dibër, Kosovë, (Opejë, Kaçanik), në fshatrat e Pologut prej rrethinave të Tetovës, Gostivarit e në rrethinat e Kërçovës, në Shkup në zonën e Dervenit, etj.
Në “Formular”, e ashtuquajtura “Iso-polifoni Shqiptare” paraqitet se e ka prejardhjen nga mitologjia joshqiptare e Sirenave! Por, “atributi” i Sirenave ishte të tundonin, me zëra dhe këngë, marinarët kalimtarë, fillimisht për orgji erotike dhe pastaj për t’i vrarë! Misionarët, qëllimisht, i shmangen faktit që, për vallet, zërat dhe këngët, populli shqiptar ka mitologjitë e veta të rrënjës: Shtojzavallet, Zanat (Zërat), Orët, të Bukurat e Dheut (Botës), të cilave iu atribuohet magjia e mbrojtjes së kalimtarit, jo e vrasjes së tij. Sepse, në kanunet shqiptare “Po e gjet gjâ në rrugë udhtarin, nuk i pritet mik dërguesit” dhe, në këtë rast, keqbërësi “hyn në hasmëri me fshatin”. Shqiptarët, pra, kanë jetuar me kode krejt të kundërta me kodet e mitologjisë së Sirenave, kështuqë nuk kanë patur as arsye, as nevojë të braktisnin trojet e tyre të rrënjës dhe ëngjëjt e tyre femërorë mbrojtës, për të shkuar te Sirenat.
Por, misioni i autorëve të Formularit nuk mbaron te “Sirenat”. Në faqen zyrtare të UNESCO-s ia kanë arritur ta poshtërojnë kombin shqiptar në atë farë feje sa, të ashtuquajturën “Iso-Polifoni Shqiptare”, ta paraqesin sikur “rrjedh nga muzika kishtare bizantine”. Pra, në OKB, bota i njeh shqiptarët e para-Bizantit si para-njerëz, të cilët paskan shkuar në Bizant për t’u bërë njerëz dhe se kultura e tyre si njerëz ardhkërka vetëm nga Bizanti! Me këtë “shpikje”, misionarët kanë fshehur faktin verbues se, sa më afër gjeografikisht me Bizantin (Stambollin), aq më e huaj dhe e panjohur ka qenë dhe është polifonia. Po kështu, i janë fshehur edhe faktit tjetër verbues se, edhe polifonia greke e ruajtur vetëm në zonën e Epirit në Greqinë veri-perëndimore, edhe polifonia bullgare e ruajtur vetëm në rajonin Shoplouk në Bullgarinë perëndimore, të dyja të regjistruara në UNESCO, me autoritet shkencor dhe dinjitet kombëtar, nuk kanë atribuar asnjë prejardhje nga muzika kishtare bizantine. Madje, në prezantimet e “Caravan”-it grek dhe të “Bistritsa Babi”-it bullgar, as që përmendet fare termi “kishë”. Është absurde që populli shqiptar, i cili shtrihet në skaje akoma më të largëta të Perandorisë së Bizantit, t’ia atribuonte kishës bizantine këngët e djepit, të dasmës, të stinës, të eposit dhe të tërë korpusit të vet shpirtëror. Siç është absurde dhe fyese që, populli mijëravjeçar shqiptar, rrënjës në trojet e veta, paska dëgjuar për herë të parë këngë kur u ngritën kishat në Bizant dhe aty paska mësuar edhe iso nga kori kishtar Bizantin! Një poshtërim ky, jo vetëm ndaj popullit shqiptar, por ndaj çdo populli, teksa shkencërisht është vërtetuar se “Polifonia ka qenë pjesë e rëndësishme e sistemit mbrojtës të njerëzve të parë”.
Por, përmes “shpikjes” së zanafillës së Polifonisë Shqiptare nga “Sirenat” dhe “Kisha Bizantine”, misionarët kanë patur një qëllim akoma më të thellë, të cilin, e kanë shkruar haptazi, e zeza mbi të bardhë, pikërisht në Formular: “Etnomuzikologjia, siç është verejtur që nga ekzistenca e Sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve tanë…”! Që do të thotë se, jo vetëm Polifonia Shqiptare, por i tërë kombi shqiptar nuk qenkërka një popull rrënjës, nga më të hershmit, nëmos më i hershmi në Gadishull, por paska ardhur vonë, kushedi se nga ç’ishuj e ngushtica detare pa emër! Misioni i qartë i shpronësuesve është që shqiptarët të prezantohen në OKB si një popull pa emër!
Abuzim me Kadarenë
“Formulari për Regjistrim në UNESCO” ka për titull: “Iso-Polifonia”. Por, në tërë përmbajtjen, pasqyron vetëm “Iso-Vajtime”, ku shkruhet: “Ka dy lloje këngëtarësh kryesorë në vajtim: profesionalë dhe improvizues të atypëratyshëm. Prandaj ne besojmë se zëri i Sirenave ishte karakteristik jo vetëm për bukurinë e tyre në vetvete, por, çka është më e rëndësishme, për shkak të teksturës vajtuese iso-polifonike, një veçori që e gjejmë akoma edhe sot në të kënduarit iso-polifonik Lab.”! Misionarët, për të “vërtetuar” se e ashtuquajtura “Iso-Polifoni Shqiptare” është krejtësisht apo kryesisht “Vajtim”, abuzojnë edhe Kadarenë, kur shkruajnë: “Ismail Kadare është i mendimit se përdorimi i vajtoreve në rastin tonë, nuk është aspak larg nga kori antik, në të cilin, gjatë vajtimit, bëhen komente për veprat dhe virtutet e të vdekurve”. Misionarët i shmangen se ku dhe kur mund ta ketë shprehur këtë mendim Kadareja!
Por, çfarë ka shkruar Shkrimtari i Madh për korpusin e Këngës Popullore Shqiptare: “Kënga popullore… do të ishte më e saktë të quhej sistem poetik popullor. Ajo e ka të gjithë atë plotëri dhe ato përmasa që janë të nevojshme për të krijuar një sistem… Është një botë e pajisur me gjithçka, e përgatitur për një jetesë autonome. Nga kjo pikëpamje i ngjan një kështjelle që është përgatitur për një rrethim mijëravjeçar. Ledhet e saj janë gati të pakapërcyeshme, karakollët i ka nxjerrë larg…është e gjithëgjendshme në hapësirë dhe në kohë. Mbin kudo si bari, mbi faqe shkëmbinjsh e mbi faqe ngjarjesh e luftërash…kronikë e jetës së shqiptarit, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, kumti i tejçuar nga brezi në brez…E përbërë nga vjersha, balada, epose të tërë, proverba, vaje, këngë djepi, këngë stinësh, britma, ligje, lodra etj…të kujton pluhurin kozmik, prej të cilit janë krijuar e krijohen botërat…” (“Autobiografia e popullit në vargje”, Onufri, 2002, fq. 11-12).
Përkundër këtij korpusi gjigant të Polifonisë Shqiptare, misionarëve iu është dashur dhe iu duhet që ajo të paraqitet e tkurrur si polifoni vajesh dhe, pastaj, vajtoret të paraqiten se “nuk qenkërkan aspak larg nga kori antik”! Pra, sikur Kadareja paska shkruar se, në fillim qenkërka “kori antik”, pastaj vajtoret! Pra, vajtoret qenkërkan derivat i korit antik! Por çfarë ka shkruar, në fakt, Shkrimtari i Madh, për raportin midis vajtojcave shqiptare dhe korit antik: “Vajtoret janë shestimi i parë i korit antik” (Vepra 18, Onufri, 2009, fq.228). E qartë si drita e diellit: vajtimi, vajtoret, e kujtdo populli qoftë, të popullit shqiptar midis tyre, janë një nyje thelbësore, një kyç për të shpjeguar si korin antik, ashtu edhe atë kishtar Bizantin. Jo e kundërta!

Por, misioni i shpronësuesve është që të krasitin degët e pemës gjigante të Këngës Popullore Shqiptare: vjershat, baladat, eposet, proverbat, këngët e djepit, këngët e stinëve, britmat, ligjet e lodrat dhe të lënë vetëm vajtimin. Pse? Sepse misionarëve iu duhet patjetër që ta paraqesin popullin shqiptar si jo të rrënjës në trojet e sotme, por si të ardhur kushedi nga ç’detra pa emër. Prandaj, në Formular, i adresohen Homerit (Iliada, Libri 23), për të “identifikuar” ndonjë ngjashmëri qoftë edhe artificiale me vajtimin e Akilit për Patroklin. Misionarët i fshihen faktit që, autorët e lashtësisë, Homeri midis tyre, me kundërthëniet dhe kufizimet e kohës kur, dhe të gjeografisë ku kanë jetuar, edhe mund, edhe nuk mund të jenë pika reference. Për më tepër, Homeri, nuk është i vetmi, as më i afërti gjeografikisht me trevat shqiptare dhe, si i tillë, nuk kish si ta dinte që, te shqiptarët, vajtimin e bëjnë vetëm gratë për burrat, jo burrat për burra!
Referenca pa asnjë lidhje me Polifoninë Popullore Shqiptare
Në Formular, kandidatura shqiptare është paraqitur si e lidhur me kompozitorin gjerman Bach dhe atë hungarez Ligeti. Sigurisht që këta ishin autorë të mëdhenj për kombet e tyre, por nuk kishin absolutisht asnjë lidhje me Polifoninë Shqiptare! Ndërkohë, Juria e UNESCO-s në Paris, i ka patur të gjitha instrumentet për të hetuar e vërtetuar vetë vlerat e kandidaturës shqiptare dhe nuk besoj të kishte nevojën e Koraleve Luterane gjermane të Bach-ut për vendimmarrje. Për më tepër, për rastin e Polifonisë Shqiptare, ndoshta e ka patur akoma më të lehtë sepse, jo vetëm pse ajo është unike në madhështinë e vet dhe po ashtu në shtrirjen pothuajse mbarëkombëtare, por edhe sepse ajo e kishte bërë vetë disa herë rrugën e Francës që në shekullin e kaluar, në Festivalin e famshëm në Dijon.
Sidoqoftë, asaj Jurie mund t’i ofroheshin referenca autoritare për vlerat e Polifonisë Shqiptare. Për shembull, mund t’i ofrohej Kadareja i plotë, jo Kadareja i abuzuar nga misionarët. Mund t’i ofrohej Yves Bonnefoy, historian i shquar francez, i cili shkruan: “Kultura mbijetuese para-kristiane shqiptare tregon se mitologjia dhe folklori shqiptar janë me origjinë të lashtë dhe pothuajse të gjitha elementët e tyre janë pagane”. E plot të tjerë të lidhur natyrshëm me Polifoninë Shqiptare.
Por, autorëve të “Formularit” nuk iu duheshin referencat organike si më sipër. Iu duheshin referenca artificiale: Sirenat, Kisha Bizantine, Patrokli, Akili, Homeri, liturgjia, melurgjia, Bach, Ligeti, e të tjerë, mjafton që t’u shërbenin për shpronësimin e Polifonisë Shqiptare, të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Siç edhe iu shërbyen.
Abuzim me emërtimin “Iso-Polifoni”
Përkundër pasqyrimit shkencor të polifonive kombëtare të regjistruara në UNESCO nga mbi 16 shtete, vetëm polifonia shqiptare është regjistruar me emrin “Iso-Polifoni”, ndërkohë që shtetet e tjerë i kanë regjistruar vetëm me emrin “Polifoni”, edhe pse të gjitha këndohen me “iso”. Nëse misionarëve nuk do t’iu ishte dashur ky masakrim shpërbërës, atëherë ata mund ta merrnin përgjigjen definitive nga Shkrimtari i Madh kandidat për Çmimin “Nobël”: “Në këngën polifonike të Jugut, isoja, pavarësisht se nuk ka fjalë (dhe kjo tregon se ajo është një formë edhe më e vjetër se kori antik), nuk është vetëm formë ekzekutimi, por bën pjesë në përmbajtjen e këngës. Kënga polifonike e Jugut nuk mund të ekzistojë veçse e rrethuar prej isos. Madje, kjo murmurimë kolektive, anonime, është ndoshta më e rëndësishme se vetë kënga. Ajo është elementi në të cilin noton kënga. Në qoftë se isoja ndërpritet, kjo do të thotë se kënga duhet të ndërpritet. Pra, isoja është mbështetje, miratim, unanimitet. Me anë të isos, populli jep të drejtën për të vazhduar këngën. Me ndërprerjen e saj, ai e heq atë të drejtë” (Autobiografia e popullit në vargje, Onufri, 2002, fq. 13). Studiuesi i shquar kanadezo-gjerman, Robert Elsie, e jep gjithashtu përgjigjen: “Isoja duhet të jetë e vijueshme, jo e ndërprerë, aq sa tradicionalisht thuhet se isoja duhet të mbahet gjatë gjithë kohës, në atë mënyrë, sa as plumbi të mos e depërtojë, përndryshe zërat humbasin” (Fjalori Historik i Shqipërisë, fq.361).
Misionarët, duke ndryshuar emërtimin nga “Polifoni” në “Iso-Polifoni”, kanë goditur pikërisht përmbajtjen e këngës, thelbin e saj, shpirtin e saj. Synimi ka qenë i qartë: shpërbërja e polifonisë, me qëllimin e zi që, kështu, të copëtuar e të sakatuar, ta kenë më të lehtë për ta transferuar origjinën e saj diku larg trojeve shqiptare.
Abuzim me ligjet e shtetit shqiptar
Prej shtatë muajsh, istitucionet përkatëse të shtetit shqiptar janë informuar nga mediat dhe nga një Rezolutë mbarëkombëtare se është kryer një mision antishqiptar në OKB, i cili e ka zhveshur popullin shqiptar nga Polifonia, pasuria e tij autentike shpirtërore. Ka 18 vjet që, në UNESCO, e ashtuquajtura në formë “Iso-Polifoni Shqiptare”, është shpronësuar krejtësisht në përmbajtje, çka ka shërbyer edhe për shpronësimin, po aty, të identitetit kombëtar shqiptar. Ky mision antikombëtar është kryer nga institucione dhe emra, duke abuzuar edhe me ligjet e vendit, çka është në detyrimin e shtetit shqiptar ta hetojë dhe auditojë.
Festival Folklorik Kombëtar, i shpronësuar ndërkombëtarisht!
Festivali Folklorik Kombëtar që pritet të zhvillohet në Gjirokastër, i cili “do të ngjisë në skenë rreth 1200 artistë nga vendi e bota”, nuk mund të arrijë “mbrojtjen…e vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh”, sikurse pretendon Ministria e Kulturës, ndërsa këto vlera janë shpronësuar në “Festivalin Ndërkombëtar” që quhet UNESCO! Këta artistët që vijnë “nga bota”, përpara se të vijnë në Shqipëri, kanë lexuar në faqen zyrtare të Agjensisë së OKB-së se “Iso-polifonia shqiptare rrjedh nga mitologjia jo-shqiptare e Sirenave; se Iso-polifonia shqiptare rrjedh nga muzika kishtare bizantine; se iso-ja e polifonisë shqiptare nuk është pjesë e përmbajtjes së polifonisë, por një mballomë artificiale në polifoni; se polifonia shqiptare është vetëm një kor vajtimi që thjesht është klonuar në korin antik dhe atë kishtar; se stërgjyshërit e shqiptarëve nuk janë rrënjës, por njerëz pa identitet që kanë ardhur nga kushedi se ç’detra pa emër”.

Gazeta Shqiptare