Plehrat nga Shqipëria ‘përmbytin’ Dubrovnikun/ ‘New York Times’: Ambasada shqiptare në SHBA nuk reagoi ndaj kërkesës tonë

27 Nentor 2025
Nga Adeel Hassan, THE NEW YORK TIMES
Mbeturinat e një vendi mund të jenë, në fakt, mbeturinat e një vendi tjetër.
Zyrtarët në Dubrovnik, Kroaci, nuk kanë mundur të gjejnë asnjë “thesar” në sasinë kolosale të mbeturinave që u përplasën në breg këtë javë në qytet, i cili shpesh quhet “Perla e Adriatikut” dhe zakonisht është i tejmbushur me turistë. Ata thanë se plehrat vinin kryesisht nga Shqipëria.
Një stuhi në Detin Adriatik trazoi ujërat, dhe rrymat e fuqishme jugore depozituan tonelata mbeturina, tha një zyrtar i qytetit, në dy atraksione kryesore turistike: plazhin Banje dhe Qytetin e Vjetër.
“Bazuar në etiketat dhe materialet e gjetura, pjesa dërrmuese e mbeturinave duket se kanë origjinë nga Shqipëria,” tha të mërkurën Marija Pajic Bacic, një përfaqësuese e Dubrovnikut.
Kryetari i bashkisë së Dubrovnikut, Mato Frankovic, tha se të gjitha shërbimet e qytetit, përfshirë punonjësit e pastrimit dhe punonjësit e portit, u angazhuan në operacionin e pastrimit.
Ekipet e pastrimit nisën punën në orët e para të mëngjesit, tha për transmetuesin publik lokal HRT, Denis Raos, shefi i ekipit në qendrën historike të qytetit.
Znj. Bacic tha se ngarkesat e kamionëve me plehra do të vazhdojnë për dy deri në tre ditët e ardhshme, dhe se vija bregdetare do të jetë shumë shpejt e pastër nga mbeturinat — kryesisht plastike, por edhe metale dhe mbetje mjekësore.
Ndërkohë, anëtarët e një organizate riciklimi thanë se do të përpiqeshin të ripërdornin disa nga materialet plastike, megjithëse mbetej e paqartë se çfarë mund të shpëtohej.
Ricikluesit dhe ekipet e pastrimit kanë fituar shumë përvojë, pasi Adriatiku prej vitesh ka hedhur tonelata plehra në brigjet e Dubrovnikut.
Deti Adriatik është i mbyllur, përveç një hyrjeje të ngushtë pranë thembrës së “çizmes” së Italisë, kështu që rrymat e tij të parashikueshme e bëjnë të lehtë identifikimin e drejtimit të lëvizjes së mbeturinave.
“Dubrovniku ka pasur problem me plehrat prej dekadash gjatë muajve të dimrit,” tha të mërkurën një udhërrëfyes lokal, Ivan Vukovic.
“Nuk është vetëm çështje plehrash,” shtoi ai, duke theksuar se kishte parë edhe kafshë që ishin përplasur në brigjet jugore të Mljetit, një ishull aty pranë.
Mbetjet plastike janë një çështje veçanërisht e ndjeshme në Dubrovnik, një qytet me 42,000 banorë, i cili në vitin 2020 nënshkroi një zotim për të reduktuar mbetjet plastike. Megjithëse qyteti është i vogël, ai pret çdo vit rreth 4.5 milion net qëndrimi të turistëve, të cilët gjenerojnë shumë mbetje plastike.
Çdo vit, dhjetëra miliona tonë plastikë hyjnë në detet dhe oqeanet e Tokës. Në përgjithësi, më pak se 10 për qind e mbetjeve globale plastike mendohet të riciklohet; pjesa tjetër hidhet në landfille, digjet ose përfundon në mjedis. Sipas shkencëtarëve, kjo plastikë është kthyer në një kërcënim madhor për jetën detare.
Kryebashkiaku Frankovic tha se ministria kroate e punëve të jashtme kishte qenë prej kohësh në bisedime me Shqipërinë, sepse “ne e dimë nga vijnë plehrat”.
Ai shtoi se ministria kishte ofruar ndihmë financiare për Shqipërinë për ta asistuar në menaxhimin e mbetjeve.
“Ne shohim vetëm plehrat që dalin në sipërfaqe, por një sasi shqetësuese fundoset dhe mbetet në fund të detit,” tha ai.
Ambasada e Shqipërisë në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të mërkurën.
Guvernatori i qarkut Dubrovnik-Neretva, Blaz Pezo, i tha HRT-së se vetëm bashkëpunimi ndërkufitar mund ta zgjidhë problemin.
Por një zgjidhje që ai sugjeroi ishte monitorimi satelitor “për të provuar të kapim këtë mbetje sa është ende në det të hapur.”
