Nga: Behar GJOKA

Në pervjetorin e ndarjes nga jeta të Budit, poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, me libra të mirëfilltë, prej të cilëve kanë shpëtuar katër, sërish ndërmendemi se ai është edhe poeti pa varr i letrave shqipe. Ditëve të dhjetorit të largët, të vitit 1622, mu në prag të Krishtlindjeve {Kërshenallave}, teksa kalonte lumin Drin, shkrimtari ynë, humbet në valët e ftohta, në moshën 56 vjeçare. Katër shoqëruesit e tij, dalin të gjallë dhe pa u lagur në anën tjetër të Drinit. Bashkë me ta është edhe Nikollë Leka, personi që, gjithnjë simbas arkivave të ndryshme, e pati ndjekur Budin, këmba-këmbës, qysh në vitin 1616, kur poeti ynë vajti në Romë për të botuar librin e parë, Doktrinën e Kërshtenë. Qysh në krye të herës, përmbi këtë ndodhi të pazakontë, ku fiket jeta e shkrimtarit, u tha se ishte një aksident, që ndërpreu para kohe jetën e tij. Pastaj, nëpër dokumenta dhe arkiva të ndryshme, sa vjen dhe zë vend ideja, se ndarja nga jeta e shkritmarit atdhetar, bart po ashtu jo pak enigma dhe mister, që do të duhet shkoqitur, afërmendësh rrethanave dhe konteksteve të atij moti.
Pse mbytet vetëm Budi në rrjedhën e lumit, atëbotë kur kremtoheshin krishtlindjet?
Si ka mundësi që shpëtuan të gjithë shoqëruesit e tjerë dhe valët rrëmbyen vetëmse poetin?
Pse Nikollë Leka e përndiqte tash sa mote, si një hije që çapon gjurmët, kudoqë shkonte Budi?
Ndërkaq, në vitin 1642, në një gjyqi fetar të mbajtur në Kallmet, nën drejtimin e ipeshkvit raguzian të Lezhës, Benedikt Orsini, tentativës së dukshme për ta mbyllur, gjoja me kapak floriri këtë ndodhi, makabër dhe tronditëse, pra për t`i vënë vulën zyrtare se ishte vetëm një aksident, i doli në ballë Frang Bardhi, një autor tjetër i shquar i periudhës së hershme shqipe, i cili pati hartuar aktakuzën ndaj Nikollë Lekës, ku solli argumenta dhe fakte se nuk ishte aksident, por një ngjarje që bart mbi vete më shumë enigma, pikëpyetje dhe befasi, që pritet ende edhe sot e gjithë ditën, që të hidhet dritë mbi të vërtetën e mbytjes, jo rastësore të priftit-poet.
Siç na bën me dije, më herët Injac Zamputi, në shqyrtimet e arkivave të Vatikanit, P. Budi kishte shumë kundërshtar, e me to në një moment të caktuar u bashkuan edhe valët e lumit të egërsuar, në ditët e dimrit. Megjithatë, valët e Drinit, të dhjetorit të largët, morën me vete vetëm trupin e poetit, po kaq ato u duk sikur fshinë përkohësisht, gjurmët e shkaktarëve të zhdukjes së përdhunët të poetit, madje duke synuar edhe një asgjesim të dyfishtë, fillimisht duke humbur në valët e lumit, por edhe duke e përmbyllur si aksident rastësor në takimin ‘gjygjësor’ të priftërinjëve, të mbajtur në Lezhë nën drejtimin e Marin Bicit. Fakti që ky udhëtim, i fundëm dhe amshues, biblik dhe shpirtëror, kryhet fillas pas Kuvendit fetar të mbajtur atyre ditëve, diku në rrethinat e Shqipërisë së Veriut {data e saktë nuk dihet, por as vendi{, ku madje edhe vendoset, me besa-besë, që në të gjitha kishat katolike shqiptare, ceremonitë fetare të kryheshin vetëmse nga priftërinj arbër-shqiptarë, që pamëdyshje duket se shënon një rrekje serioze për të shënuar tipare “mëvetësimi” të kishës katolike shqiptare, ndonëse rregullat e Kurisë së Romës, e ndalonin rreptësisht këtë sipërmarrje. Në rrethanat kur ende nuk po hidhet dritë as për vendin se ku u mbajt ai takim, as data e saktë, përsëri ndarja e dhunshme nga jeta e Pjetër Budit, mbetet një mister, që duhet hetuar në arkivat e Vatikanit. Pra, valët e Drinit, realisht ndërprenë udhëtimin për në Kuç të Malësisë së madhe, ku simbas dokumentave thuhet se Budi do të merrte pjesë në ceremonitë fetare të Krishtlindjeve, në fakt ato morën me vete vetëm trupin e tij, sepse shpirti mbeti i paprekur dhe hyjnor në fluturimin e pambarimtë në qiellin e letrave shqipe. Shpirti, gjallon fuqishëm në poezinë e tij, që krahas uratës shpirtërore fetare, ndërkaq shqiptoi poetikisht fatin e gjuhës shqipe, të botës arbënore, e mbi të gjitha të vlerave të shumëfishta shpirtërore, që bart poetika e fjalës së poetit të parë të letërsisë shqipe. Shpesh herë ka qëlluar, madje pa u thelluar në argumenta, me gjasë më tepër nga mosnjohja e poezisë së Budit, të thuhet nga individë të ndryshëm, vetëm se është përkthyes dhe përshtatësh, pra jo poet origjinal. Padija, institucionale dhe individuale, që shpesh fle edhe në foletë e akademizmit shqiptar, paksa më e theksuar në Shqipëri, sidoqë të rrekesh që ta fshehësh të vërtetën prapa titujve ose konferencave të burokracisë letrare, nuk mbulojnë dot të vërtetën e madhe se Budi është hartuesi i 3200 vargjeve në gjuhën shqipe, të cilat gjenden tek librat Doktrina e Kërshtenë, 19 poezi, Pasqyra e të rrëfyemit, më 3 poezi, si dhe Rituali Roman, me një poezi, e cila njëherit promovon në poezinë shqipe dy përftesa poetike, lavrimin e vargut 16 rrokësh, si dhe të vargëzimit monokolon, dy shenja që e futën përfundimisht ndër poetët që hodhën themelet e ligjërimit të kultivuar të poetikës së shqipes.
Poezia origjinale, ideuara dhe të shkruara nga vetë Budi, në mënyrë të padiskutueshme, si frymë dhe atmosferë, si tekst dhe mendim, përbëhet nga shtatë poezi, që gjenden në të tre librat e tij, që shkojnë në rreth 650 vargje gjithsej. Ndërkaq, me shumë gjasa, pjesë e shkrimit poetik të autorit, janë edhe 137 vargje të shkruara në latinisht, të cilat janë realizuar po ashtu me strofën katërshe dhe me tetërrokshin trokaik, që shënon vargun tipik të poezisë shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësinore.
Poezia e Budit gjendet e ngurtësuar në shkronjë, ku fle shpirti dhe mendja, fryma dhe tingulli kreativ, i poetit të parë të letrave shqipe, i poetit më frymëgjatë, siç e pati përcaktuar më herët Selman Riza, studiues më i thekur i letërsisë së hershme shqipe.
Krahas poezisë së ngjizur me dashuri dhe venerim, prej Pjetër Budit, trashëgohen edhe 170 faqe prozë, të tipeve dhe llojeve të ndryshme, që janë edhe burimi më i plotë dhe më i besueshëm jetëshkrimor i autorit, të cilat ende nuk janë bërë siç duhet pronë e lexuesit, sepse ende nuk është realizuar një botim specifik mbi këtë trashëgimi të vyer, ashtu siç ka ngjarë me poezinë, e cila fal ndihmesës së studiuesit Rexhep Smajli, poezia e tij është botuar e plotë, në vitin 1986, si dhe nën përkujdesjen e tij, ribotohet edhe në vitin 2006.
Valët e Drinit morën përjetësisht në gjirin e vetë, vetëmse shtatin e tij, e prandaj themi se është poeti pa varr. Ndërkohë që në gjirin e gjuhës shqipe, mbeti poezia dhe proza e tij, e cila mbi të gjitha dëshmon se Pjetër Budi, me jetën dhe veprën e tij, me natyrën e trefishtë, të bariut fetar, atdhetar dhe letrar, është ndër dëshmorët e parë të fjalës shqipe, po kaq me veprimtarinë dhe ndihmesën e dhënë, me sakrificën sublime, është edhe ndër heronjtë e parë të mendimit, që dha jetën për të mbrojtur botën e arbërit, kulturën, besimin, gjuhën dhe letërsinë. Ende sot e gjithë ditën, kumbojnë fjalët e Budit,…e keqja po u vjen arbnorëve nga muhametizma dhe skizma…pohuar në Letrën për Kardinal Gocadinon, e cila mban datën 21 shtator 1621…