Përse po futen “oligarkët” në tregun e mediave dhe a janë pjesë e skenarit të Edi Ramës për mandatin e katërt?

– 13.04.22

Këtë javë, 3 lajme që lidhen drejtpërdrejt me median në Shqipëri trazuan ambientin e brishtë informativ në vend.

I pari, blerja e 60% të aksioneve të “Euronews Albania” nga biznesmeni Shefqet Kastrati, i dyti futja në “listën e zezë” amerikane të pronarit të “Ora News”, Ylli Ndroqi dhe i treti, raporti i Departamentit të Shtetit që denoncon përpjekjet e qeverisë dhe krimit për të ndikuar median “në mënyrë të papërshtatshme”.

Që gazetat, televizionet dhe portalet informative në Shqipëri, veprojnë në një ambient që më shumë i ngjan xhunglës se sa një tregu të mirëfilltë kapitalist, është diçka e ditur që nuk surprizon shumëkënd.

Megjithatë, nuk është e vështirë të vërehet se në kohën kur media po bëhet më shkëlqyese e vezulluese si pasojë e investimeve në teknologji, hapësirat e lirisë po bjerren ditë pas dite. Transmetuesit e lajmit janë të shumëllojshëm, por informacioni që ata përçojnë është gjithnjë e më shumë i kontrolluar. Kush e kontrollon informacionin në Shqipëri? Po t’i referohesh raportit të SHBA: Qeveria, biznesi, krimi.

Këtë fakt evidenton Departamenti amerikan i Shtetit, i cili e vë theksin tek presioni i madh ekonomik dhe politik që ushtrohet sot mbi informacionin.

Çfarë impakti do të kenë lëvizjet e fundit të pronësisë në treg? Do ta demokratizojnë ambientin apo do ta thellojnë më tej kontrollin e grupeve të interesit mbi realitetin?

Më 22 shkurt, grupi “Balfin” në pronësi të Samir Manes njoftoi blerjen e televizionit “Scan” për 700 mijë euro, një ekran i profilizuar tek çështjet ekonomike. Më herët, Mane kishte shitur 2.97% të aksioneve që gëzonte tek “Digitalb”.

Pa u mbushuar muaji, “Kastrati Group” në pronësi të biznesmenit Shefqet Kastrati bleu 60% të aksioneve të “Euronews Albania”.

Biznesmenë të tjerë të fuqishëm kanë investuar në media, megjithëse përfitimi financiar që kanë nga to, mbetet ende për t’u verifikuar. Bashkim Ulaj hapi në vitin 2019 televizionin “A2 CNN”, i cili në vitin 2020 pati një humbje prej 38.7 milionë lekësh.

Çfarë i shtyn biznesmenët e mëdhenj “t’i futen një sporti” ku, nëse nuk je kompetitiv dhe nëse je jashtë tregut, pëson humbje të mëdha?

Përgjigja qëndron në faktin se interesi ekonomiko-financiar mund të jetë i ulët, por përfitimi “politik” mund të jetë i madh.

Nuk është e fshehtë tashmë marrëdhënia e ngushtë e kryeministrit me oligarkët dhe dëshira e tij e përsëritur për të fituar edhe mandatin e katërt qeverisës.

Pavarësisht se thotë “nuk lexoj gazeta”, Edi Rama ka një dëshirë të papërmbajtur për kontrollin e informacionit.

Dy televizionet kryesore në vend, “Klan” dhe “Top Channel” ‘i ka në xhep’ prej kohësh. TVSH-ja është “rast i pashpresë”, sepse nga pikëpamja editoriale ajo nuk i përket publikut, por qeverisë së rradhës, cilado qoftë ajo. Pesha e “Vizion Plus” nuk është më ajo e para. “Ora News” gjendet në një situatë të paqartë sekuestroje dhe pronari i saj u shpall “non-grata” nga SHBA.

Pesha e mediave të vogla është në rënie të vazhdueshme. Për shkak të mungesës së burimeve financiare, ato kanë dalë nga tregu.

Zërat kritikë janë sporadikë dhe ato nuk përfaqësojnë media të rëndësishme, por vetëm “vetmitarë” si Lubonja, ose portale të margjinalizuara dhe pa staf të mirëfilltë.

E gjithë kjo panoramë e zymtë, nuk është e rastësishme. Edi Rama ka punuar sistematikisht që të mbërrinte kjo ditë. Ai e di peshën e informacionit dhe nuk ia lë asgjë rastësisë. Çdo investim apo hap i ri që hidhet, është në funksion të mandatit të katërt qeverisës.

Një nga vendimet e para të mandatit të tretë, ishte ai për hapjen e “Agjencisë për Media dhe Informim”, një instrument i paqartë informativ në dorën e qeverisë, i cili ngjalli shqetësimimin e ekspertwve. Gjashtë organizata ndërkombëtare reaguan ndaj këtij plani për krijimin e asaj që druhet se do të jetë një “ministri propagande”.

A do t’ia dalë Edi Rama ta varrosë përfundimisht lirinë e fjalës në vend? Sali Berisha nuk ia doli në vitet ’92-‘97. Ishte koha e burgosjes dhe drurit ndaj gazetarëve. Ishte koha e djegies së redaksive.

Gjërat kanë ndryshuar që atëherë.

Edi Rama ua ruajti trashëgiminë financiare “oligarkëve” të kohës së Berishës. U dha gjithnjë e më shumë punë, para publike, tendera, lehtësira për të zhvilluar bizneset e tyre. Me paratë e këtyre tenderave dhe koncesioneve, “oligarkët” blenë media (me humbje) për të mbrojtur paranë e tyre. Dhe Edi Ramën njëkohësisht.

Gazeta Shqiptare