11 Gusht 2022

Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin tremujor të politikës financiare, i cili thekson se rrisku i rritjes së çmimeve do të vijojë të mbetet i lartë deri në fillim të vitit 2023 dhe më pas gradualisht do të vijë në rënie, kur edhe inflacioni pritet të arrijë deri në vlerën 3% në gjysmën e parë të vitit 2024. Rritja ekonomike ka mbetur në vlerën 6%.

Qytetarët do të përballen me çmime të larta të ushqimeve dhe karburanteve. Sipas raportit te tremujorit të dyte të politikës financiare, të publikuar nga Banka e Shqipërisë inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta deri në fillim të vitit pasues dhe të vijë në reduktim më tej, për të qëndruar në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.

Erald Themeli, drejtor i Departamentit të Politikave Monetare analizon se kjo situatë vjen për shkak të goditjes së tregjeve financiare kombëtare si pasojë e situatës së luftës Rusi-Ukrainë, duke reflektuar një rritje të menjëhershme edhe në tregun vendas.

“Rritja e shpejtë e inflacionit në vend ka një bazë të gjerë faktorësh por premisa e saj është goditja që kanë pësuar tregjet financiare ndërkormbëtare nga konflikti në Ukrainë, nga sulmi ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet ndaj saj. Në përgjigje të këtij sulmi çmimet e artikujve ushqimorë të naftës, gazit, të produkteve energjitike dhe lëndëve bazë kanë pësuar një rritje në nivelin 200-300% në tregjet ndërkombëtare e cila është materialzuar më tej në inflacion të lartë në gjithë partnerët tanë tregtarë por është përcjellë dhe në rritje të shpejtë të çmimeve të këtye produkteve në tregun vendas.”

Për këtë arsye të dhënat raportojnë një rritje ekonomike me vetëm 6%.

Sipas raportit tregjet financiare janë të qëndrueshme dhe të konsoliduara, por konstatohet një rritje e normave të interesit, duke sinjalizuar se këto tregje kanë faktorizuar një reagim të Bankës Qëndrore.