3 Shtator 2025

INSTAT raportoi se në vitin 2024 rreth 120 mijë persona të moshuar mbi 65 vjeç janë përfshirë në tregun e punës. Pjesëmarrja e të moshuarve në forcën e punës është fenomen në rritje vitet e fundit.

Në vitin 2024, numri i personave mbi 65 vjeç që ishin aktiv arriti mbi  120.142, me rritje vjetore 46,8% krahasuar me 81.835 persona që ishin pjesë e tregut të punës në vitin 2023.

Grupi i pensionistëve shfaqi dinamizmin më të lartë në tregun e punës gjatë vitit të kaluar. Në kontrast me këtë grup-moshë, për pjesën tjetër të popullsisë pjesëmarrja në tregun e punës ka njohur luhatje më të lehta. Në vitin 2024, numri i përgjithshëm i forcës së punës ka arritur 1.287.099 persona, një rritje modeste krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, në grup-moshat më të reja vihet re një tendencë në rënie. Për shembull, pjesëmarrja e të rinjve 15-24 vjeç ka zbritur nga 112.267 në 110.459, duke sinjalizuar hendekun që po le emigrimi në grup-moshat e reja.

Rritja e pjesëmarrjes së individëve mbi 65 vjeç lidhet me faktorë ekonomikë dhe demografikë. Jetëgjatësia më e lartë dhe përmirësimi i shëndetit kanë bërë që shumë individë të ruajnë kapacitetin për të qenë aktivë edhe pas moshës së pensionit.

Nga ana tjetër niveli i ulët i pensioneve, duket se është faktor themelor. Pensioni mesatar në Shqipëri është rreth 190 euro në qytet shume me i ulët në fshat dhe mbulon vetëm një pjesë të nevojave bazë të jetesës.

Për këtë arsye shumë të moshuar detyrohen të vazhdojnë të punojnë për të përballuar shpenzimet e përditshme dhe për të ruajtur një standard minimal jetese.

Emigrimi i lartë i popullsisë së re ka krijuar boshllëqe në tregun e punës, veçanërisht në sektorët ku kërkohet punë fizike ose e kualifikuar më pak. Për pasojë, një pjesë e punësuarve mbi 65 vjeç po rikthehen ose po zgjasin aktivitetin e tyre profesional për të mbuluar nevojat e tregut.

Ekspertët paralajmërojnë se balanca financiare e skemës së pensioneve do të përkeqësohet, duke kërkuar reforma të thella strukturore, të tilla si diversifikimi i burimeve të financimit dhe stimulimi i skemave private të pensioneve.

Rritja e aktivitetit ekonomik të të moshuarve mban gjallë konsumin dhe rrit bazën e të ardhurave të tatueshme dhe tregu i punës përfiton sidomos në sektorët kur ka mungesë dhe kërkesa për punëtorë është e vazhdueshme. Por nëse vendet e punës mbahen për më gjatë nga individë mbi 65 vjeç, të rinjtë përballen me vështirësi në gjetjen e një vendi i punës  duke shtuar presionin për emigrim.

Monitor