20 Tetor 2022

Projektligji i lustracionit i propozuar nga PD-ja me në krye Alibeajn në Kuvend parashikon rikthimin e spiunëve në Kuvend dhe poste kyçe publike pas 7 vitesh nëse pendohen dhe rrëfejnë veprimtarinë e tyre.

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend dy projektligje për lustracionin (pastërtinë e figurës), një nismë ligjore nga PD-ja me në krye Sali Berishën dhe një nga PD-ja me në krye Enkelejd Alibeajn. Dy nismat ligjore kanë përmbajtje të përafërt pasi përjashtojnë për 15 vite nga e drejta nga e drejta për t’u zgjedhur deputetë, kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillave bashkiake, si dhe për t’u emëruar në një sërë funksionesh publike personat që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit si dhe atë që kanë mbajtur funksione politike të PPSH, kanë qenë pjesë e drejtësisë dhe hetuesisë së diktaturës. Edhe ata që janë në detyrë largohen automatikisht për 15 vite.

Por, projektligji i propozuar nga Alibeaj parashikon edhe një amnisti të pjesshme për bashkëpunëtorët e ish Sigurimit të Shtetit. Nisma ligjore parashikon që spiunët që tërhiqen vetë nga funksionet, nuk do t’u bëhet emri publik, ndërsa ata që shfaqin pendesë, u kërkojnë ndjesë atyre që i kanë spiunuar si dhe rrëfejnë në mënyrë të plotë të gjithë të vërtetën, ata mund të zgjidhen dhe të emërohen pas 7 vitesh në funksione publike. Pra, nga 15 vite kohë ndalimi, afati shkurtohet në 7 vite.

“Subjekti gëzon gjithashtu të drejtën që të tërhiqet nga funksioni dhe që rasti i tij të mos bëhet publik. Nëse nga veprimtaria e subjektit iu është shkaktuar dëm të tretëve, mospublikimi vendoset nëse krahas aktit të tërheqjes, subjekti ka paraqitur edhe një letër pranimi mbi faktet dhe ka kërkuar ndjesë për të dëmtuarit. Po ashtu, subjekti mund të shfaqë pendesë për veprimet e kryera nga ana e tij, duke pasur detyrimin që të rrëfejë në mënyrë të plotë të gjithë të vërtetën që ai di. Kur rrëfimi rezulton të jetë i vërtetë, subjekti përfiton përgjysmimin e kohës së ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike. Në çdo rast për funksionarët e zgjedhur apo ata që kërkojnë të zgjidhen, periudha e ndalimit duhet të përfshijë së paku një proces zgjedhor, vendor apo të përgjithshëm”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Ashtu si projektligji i propozuar nga Rithemelimi, edhe nisma ligjore e propozuar nga PD-ja me në krye Alibeajn, nuk përfshin sekretarët PPSSH si kategori që nuk dihet të kandidojnë, zgjidhen apo emërohen në disa funksione publike. Për vite me radhë, Berisha ka mbajtur pozicionin politik të sekretarit të Komitetit të Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë te Universiteti i Tiranë. Ky përjashtim mund të lexohet si një mesazh afrimi mes dy PD-ve. Aktualisht, në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar 6 nisma ligjore për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit dhe pastërtinë e figurës.

Gazeta Shqiptarja.com