“Paraja me Helikopter”, a është një ide e vlefshme në Shqipëri?

17, 2020 21:07

Nga Gjergj Erebara*

Disa përfaqësues shoqatash biznesi po ulërasin për ndihmë në Tiranë për shkak të mbylljes së pjesës dërrmuese të aktivitetit ekonomik nga kriza e pandemisë COVID-19. Opozita politike ka propozuar një paketë të saj të ndihmave ndërsa kryeministri Edi Rama ka shpallur se do të diskutojë këtë gjë të enjten.

Problemi me krizën ekonomike të pritshme për t’u shkaktuar nga pandemia është i pranishëm aktualisht në të gjithë botën dhe shumë po vrasin mendjen se çfarë mund të bëhet. Një nga këto ide është e njohur si Paraja me Helikopter.

Paraja me helikopter, një shprehje figurative që do të thotë se një qeveri mundet të bombardojë familjet e një vendi me para të thata të hedhura nga helikopteri, është menduar si një zgjidhje ekonomike në një situatë ekstreme në të cilën normat e interesit janë të ulëta por konsumi është gjithashtu i kontraktuar dhe bashkë me to, prodhimi dhe investimet.

Pasi është diskutuar për vite me radhë në qarqet periferike të ekonomistëve, paraja me helikopter, që në praktikë do të thotë që qeveria të kreditojë llogaritë bankare apo t’i dërgojë një çek apo t’i rrisë pensionin dhe ndihmën ekonomike popullsisë së vet në masë, mund të bëhet realitet për shkak të pandemisë COVID-19. Por kush do t’i paguajë?

Ideja e parasë së hedhur “me lopatë” në përfitim të popullsisë është hedhur fillimisht në vitete 1960 nga nobelisti i ekonomisë Milton Friedman në vitet 1960. Por së fundmi, kjo ide është përqafuar edhe nga ekonomistët e majtë si një mënyrë barazuese për ekonominë, në të cilën, të varfrit përfitojnë një shumë parash fikse për të cilën kanë nevojë bashkë me të pasurit, por kjo shumë parash bën që asetet e të pasurve të bien lehtësisht në vlerë duke pasur një efekt rishpërndarës.

Së fundmi ishte senatori republikan Mitt Romney, i cili propozoi, si një mënyrë për të luftuar vuajtjet ekonomike të shkaktuara nga pandemia, që qeveria amerikane t’i japë çdo familjeje një shumë prej 1 mijë dollarësh “dhuratë”.

Një numër shumë i madh punëtorësh e kanë të pasigurt nëse do të marrin rrogën e muajit Mars për shkak të bllokimeve të shkaktuara nga pandemia dhe mbylljes efektive të punës.

Të Martën, 17 Mars, qeveria amerikane kërkoi nga Kongresi autorizim për të ndërmarrë një nismë të tillë. Një grup kongresmenësh demokratë dhanë opsionin e tyre të paketës, duke argumentuar nevojën për të shpërndarë 4500 dollarë për çdo familje, duke përjashtuar nga kjo ndihmë vetëm më të pasurit. Kjo lloj pagese në para të thata është afërsisht e barabartë me një pagë mujore në SHBA dhe mund të ndihmojë njëkohësisht amerikanët e mbetur pa punë të përballojnë vështirësitë e shkaktuara nga COVID-19 dhe ekonominë duke mbajtur një pjesë të konsumit të domosdoshëm të hapur.

Në kushtet e Shqipërisë, kjo supozon që, fjala vjen, çdo i punësuar në sektorin privat të marrë një pagesë kesh ndërsa personat në skemën e ndihmës ekonomike dhe pensionistët të marrin një pagesë ekstra përveç pagesës së tyre të zakonshme. Kjo do të thotë se punëdhënësit në sektorin privat do të çlirohen nga detyrimi për të paguar pagat e një muaji.

Punonjësit e shtetit mund të mjaftohen vetëm duke marrë pagën e plotë pavarësisht nëse kanë dalë apo jo në punë, krahas një pagese shpërblyese për segmentet e shtetit që janë përballur me orë të gjata dhe lodhje të madhe gjatë kësaj krize, si mjekët apo policët.

A është e mundur teknikisht?

Qeveria shqiptare ka hartuar që nga viti 2015 një indeks të personave të punësuar në sektorin publik dhe privat dhe kjo e bën të lehtë identifikimin e të gjithë personave që rrezikojnë të mbeten pa pagë këtë muaj. Dhe duke qenë se të gjitha pagat me detyrim tërhiqen në bankë, është e lehtë që paratë t’u transferohen përfituesve drejtpërsëdreti në llogaritë e tyre bankare.

Duke qenë se pagat njihen dhe përfituesit gjithashtu, e vetmja gjë që i mbetet në dorë qeverisë është të përcaktojë se sa ditë pagë do të paguajë, fjala vjen, një muaj të plotë, ose dy javë, ose një javë, si dhe ta komunikojë këtë vendim publikisht në mënyrë që punëmarrësit ta kenë të qartë se çfarë pjese të pagës duhet ta marrin nga punëdhënësi dhe çfarë do të kompensohet nga shteti. Dhe në rast se paralizimi i përgjithshëm i ekonomisë zgjat më shumë se një muaj, qeveria duhet të jetë e përgatitur që, fjala vjen, të paguajë edhe një muaj tjetër.

Kjo është një mënyrë e mirë për të shmangur, si zënkat e panevojshme politike të atij që kemi dëgjuar këto ditë të llojit, kush e ka idenë më të mirë, ashtu edhe për të shmangur abuzimet e mundshme politike dhe trajtim klientelist të një biznesi apo një tjetër, në rast se përfituesit do të jenë bizneset dhe jo punëtorët.

Por kush paguan?

Në një mënyrë ose në një tjetër, paguesi do të jetë as më pak e as më shumë se sa taksapaguesi, ajo që paguan buxhetin e shtetit përmes taksave, qofshin këto taksa konsumi apo tatim mbi të ardhurat personale. Mënyrat se si do të paguhet kjo faturë dhe madhësia e faturës varet. Një mënyrë është që fatura të paguhet përmes një rritjeje të borxhit publik. Mënyra e dytë është përmes emisionit monetar apo lehtësimit sasior. Kjo e dyta, për shkak të pasojave zinxhir që mund të shkaktojë në aftësinë paguese të kredimarrësve, është më pak e pëlqyeshme.

I para, ajo e rritjes së borxhit publik, është opsioni më i arsyeshëm. Aktualisht nuk është e lehtë të gjesh në statistikat zyrtare se sa është fondi total i pagave të sektorit privat në një muaj, por duke parë Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të Shqipërisë dhe të dhëna të tjera, pagesa e rrogave të një muaji për të gjithë sektorin privat nuk është diçka e pamundur për t’u përballuar nga  buxheti i shtetit.

Problemi është se pandemia mund të zgjasë një muaj, mund të zgjasë edhe në shumë. Dhe nëse zgjati më shumë se një muaj, atëherë ndoshta qeveria duhet ta shohë të arsyeshme të mos paguajë një rrogë të plotë për të gjithë sektorin privat, por të paguajë, fjala vjen, 60%, duke lënë hapësirë që të paguajë edhe një muaj të dytë, në rast se kriza zgjat më tutje.

***

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Titulli është i redaksisë.

e.k. / dita