O Allah, shkunde një herë nga themelet këtë kullë….

4 janar 2022

Nga Mentor Kikia

E keni parasysh plakun Mere, personazhin e madh të Dritëro Agollit tek “ Njeriu me Top”? Kur gjithëçka në kullën e tij i kishte dalë jashtë kontrollit, ai thirri Allahun në ndihmë ta tundte shtëpinë e tij që nga themelet.

Përse mu kujtua plaku Mere tani?

Sepse këtu ka dalë çdo gjë jashtë kontrollit.

Këtu vjen një kamion me kokainë, që do të mbante me petulla një lagje për një javë, dhe në burg shkon vetëm shoferi dhe roja i magazinës.

Këtu, kompanitë e import-eksportit të kokainës bëjnë reklama në TV, dhe asnjë institucion nuk heton se përse ca lloje bananesh sjellin kaq shumë të ardhura.

Këtu, një kompani inceneratorësh, që nuk ka vënë në punë asnjë oxhak deri tani, paguan qindra mijëra Euro reklamë nëpër TV-ra. Di njeri të na thotë se çfarë shet një incenerator që paguan reklama? Aq më shumë kur ende nuk ka filluar punë?

Këtu, burri i një prokuroreje, që kryeson një skuadër të hetimit kundër krimit, paguhet si drejtor në tre inceneratorë, sipërmarrjet më të denoncuara prej tri dekadash.

Këtu zbulohet se disa kompani paguajnë edhe shoferat nga 10 mijë Euro në muaj dhe deklarohen me humbje, duke mos paguar taksa.

Këtu ndodh gjithçka dhe askush nuk reagon….

Këtu, një grusht njerëzish, maskarenj e hajdutë, që kapardisen publikisht me jetën e luksit që vjen nga paratë e krimit dhe korrupsionit, kanë bërë që të gjithë atyre që punojnë e jetojnë me djersën e ballit, tu vijë turp nga vetja.

“Ndaj shkunde o Allah, sepse ata që duhet ta shkundin janë bërë për vete për tu shkundur. Shkunde në paç fuqi, sa uji i zi ti dalë të ligës që ka mbytur këtë vend” – do të thoshte sot plaku Mere.

Huazuar nga FB: Mentor Kikia