“Nuk punon askush”/ PD nxjerr fotot dhe tregon: Ja çfarë ndodh në kantieret e ndërtimit sapo fiken kamerat e regjisë qendrore të Ramës.

31 tetor  2020

Partia Demokratike thotë se në kantieret e ndërtimit që prezantohet nga kryeministri Edi Rama nuk punohet. Në një reagim, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka publikuar disa foto dhe thotë se pasi fiken kamerat e regjisë qendrore të kryeministrit nuk punohet më.

Si reagim ndaj deklaratave të Ramës në Kukës, Ina Zhupa thotë se menjëherë sapo Rama u largua nga aeroporti i Kukësit, punimet nuk vazhduan më.

“Edi Rama dhe shpura e tij e propagandës, pasi hoqi foltorën nga rrënojat e shkollës Sami Frashëri, me foltoren në krahë u ndal dje në rrugën 5 Maji, ku preu shiritat e një tjetër kantieri.

Sot me të njëjtin podium u shfaq në Kukës në aeroportin që sa herë shkon ai, mjetet e rënda të nisura nga Tirana, ndizen sa për daljen live të kryeministrit në ikje.

Por përtej transmetimeve me regji qëndrore, në gërmadhat ku shfaqet nuk punohet më.

Sapo fiken kamerat, punëtorët ikin dhe makineritë heshtin.

Kështu ndodhi në shkollën Sami Frashëri, dhe po kështu sot në rrugën 5 maji ku u prezantua në 3D kompleksi i banimit.

Sot aty ka qetësi.

Duke mos pasur kamera, nuk punon askush. Makineritë janë fikur menjëherë pas fikjes së kamerave”, thuhet në reagimin e Ina Zhupës.

Gazeta Panorama