Foto ilustruese

4 Janar 2023

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe dënimet për të akuzuarit për abuzimin me tenderin 7 milionë lekë, për shkeljen e barazisë në tendera në Bashkinë Durrës.

Sipas BW, Adriatik Velaj do të vuajë dënimin me 11 muaj burg për shpërdorim detyre, Muhamed Likaxhiu, 10 muaj burg për shpërdorim detyre, Artan Taho dënohet me 10 muaj burg për shpërdorim detyre, Gj.Markola, 10 muaj burg për ‘shkelje e barazisë në tendera’, I.Matmuja, 11 muaj ‘shkelje e barazisë në tendera’, Riza Sulaj, dënohet me 11 muaj burg për ‘falsifikim të vulave’, Patriot Beqiraj 11 muaj burg për ‘shkelje e barazisë në tendera’, Albion Bushi, dënohet me 11 muaj burg për ‘falsifikim të vulave’, Lulzime Rami, dënohet me 8 muaj burg për ‘falsifikim të vulave’, Elona Rami, dënohet me 8 muaj burg për ‘falsifikim të vulave’.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se zyrtarët e bashkisë së Durrësit dhe punonjësit e kompanive private kanë manipuluar garën për tenderin me vlerë të fondit limit prej 7.083.000 lekë në periudhën Maj-qershor 2020. Tenderi u krye për blerjen e një zjarrfikëseje me autoshkallë që rezultoi se nuk punonte.

DOSJA HETIMORE

Bashkia e Durrësit i serviri një “rrangallë” repartit zjarrfikës që të përballonte emergjencat. Mjetit të blerë me një shumë prej rreth 70 milion lekësh të vjetër jo vetëm që i mungonin shumë aksesorë, si tubi i ujit, kondicioneri, por as nuk ndizej, si dhe nuk kishte dokumentacionin e duhur për të qarkulluar në rrugë.

Pra, kjo blerje makine është realizuar vetëm për të siguruar fitimin ekonomik me vlerë 7 milionë lekë të rinj, ndërsa mjeti nuk kreu kurrë asnjë shërbim për qytetarët dhe u la të amortizohej. Ekspertët që ekzaminuan mjetin e braktisur në një ambient që shërben për vendgrumbullim mbetjesh gjetën një mjet të amortizuar totalisht dhe jofunksional.

“Panorama” siguron dosjen hetimore ku specifikohet se kemi të bëjmë thjesht me një tender fiktiv për të vjedhur lekët e taksapaguesve shqiptarë.

EKSPERTIZA E MJETIT

Në dosje thuhet se pavarësisht nga specifikimet paraprake në mjetin e blerë për një shumë të majme në të nuk funksiononte asgjë. Ekspertët e hetimit vërtetuan se dy nga anëtarët e grupit të specifikimeve teknike dhe përcaktimit të vlerës së fondit kanë qenë edhe anëtarë të marrjes në dorëzim të autoshkallës së zjarrfikëses. Bëhet fjalë për Muhamed Likaxhiun dhe Artan Tahon.

Këta dy persona kanë pasur dijeni se mjeti nuk i plotëson kushtet teknike dhe specifikat e kërkuara. Konkretisht orët e punës tregonin në një manual elektronik që ishte në mjet, 9 mijë orë pune.

Në fakt pjesa e shasisë nga poshtë ishte e ndryshkur dhe e dëmtuar. Mjeti nuk kishte kondicioner, nuk kishte gomë rezervë, ishte me vetëm dy vende dhe në të ishte vendosur një stol fëmijësh për të thënë se kishte një vend të tretë.

Gjithashtu mjeti duhej të ishte me katër dyer pasi nëse do të ishin tri vende ulur, nënkuptohet që personi i tretë do të kishte derën nga pas, por në realitet mjeti i blerë shtrenjtë ka vetëm dy porta.

Po ashtu, një defekt tjetër i verifikuar ishte se mjeti i zjarrfikëses nuk kishte pjesën e shkallës të pajisur me tub uji të fiksuar, i cili shërben për shuarjen e zjarreve. E sikur të mos mjaftonin këto, mjeti i zjarrfikësve nuk kishte as dokumentacionin, si katalog në gjuhën shqipe.

Makina zjarrfikëse tejet e amortizuar rezulton se dokumentacioni, për të cilin grupi i marrjes në dorëzim shprehet se e zotëron, konstatohet se nuk është në emër të shitësit, por në emër të operatorit tjetër konkurrues dhe jofitues, shoqërisë “R&R Group”.

Gazeta Panorama