NJË ROMAN PAK I NJOHUR I GJEÇOV – KRYEZIUT

“Shpërblesi i Botës ase Jeta e Jezu Krishtit”

Huazim nga WWW.Puka.shqiperia.com.

Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit, të cilën, si duket, Atë Shtjefën Gjeçovi e shkroi gjatë qëndrimit të tij si famullitar e mësues në Zym të Hasit (1928-1929), është vepër e pambaruar në dorëshkrim, mbase vepra e fundit e Atë Shtjefën Gjeçovit. Teksti është në dorëshkrim dhe i pambaruar dhe ka 93 faqe. Një gjë, por, është evidente, Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit e Atë Shtjefën Gjeçovit do të mbetej vepër e humbur apo e harruar pa kujdesin e Imzot Nikë Prelë s, ipeshkëv. Këtë dorëshkrim, të cilin me vigjilencë e ruajti shkëlqesia e tij, po ia paraqesim në një botim të veçantë, lexuesit dhe studiuesit tonë, dhe jo vetëm atij.

Dorëshkrimi Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit i Atë Shtjefën Gjeçovit, siç e thotë edhe vetë titulli, rrok shtjellimin dhe trajtimin e jetës së Shpërblesit të botës, jetën dhe veprën e Jezu Krishtit. Teksti është ndërtuar me një sistem tejet të organizuar e të theksuar dhe merret jo vetëm me jetëshkrimin e jetës dhe veprës së Jezu Krishtit, por edhe me shqyrtime të thella filozofike, teologjike dhe shkencore. Teksti është shkruar me një dije e përkushtim të rrallë krijues, që më në fund mbetet veçanti e shkrimeve të përgjithshme të Atë Shtjefën Gjeçovit, të cilin Faik Konica e ka vlerësuar si njërin nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria.

Kanë kaluar mbi gjashtë dekada nga koha e shkrimit të këtij teksti. Dhe sot kur, pas gjashtë dekadave, e lexojmë Shpërblesin e botës ase Jetën e Jezu Krishtit të Atë Shtjefën Gjeçovit, rëndësia e këtij teksti, e këtij libri që për herë të parë po ijepet lexuesit shqiptar, del e shumëfishtë. Sepse, së pari kemi edhe një vepër deri tash të panjohur të Atë Shtjefën Gjeçovit. Së dyti, e kemi një vepër të një krijuesi të madh, që është mbështetur fuqimisht në përvojën krijuese të traditës shqiptare dhe evropiane.

Dorshkrim NJË ROMAN PAK I NJOHUR I GJEÇOV-KRYEZIUT

Dhe së treti, Atë Shtjefën Gjeçovi duke shkruar këtë libër (kështu ai e quan veprën e vet), deshi ta përtërijë traditën e shkrimit shqip sipas shembullit të Bogdanit duke krijuar kësodore, natyrisht, një vepër të re, origjinale e të mbështetur në baza të forta biblike, teologjike, filozofike e letrare – stilistike të traditës shqiptare dhe evropiane. Kjo vepër e Atë Shtjefën Gjeçovit në të vërtetë është një hallkë lidhëse në vargun e veprave të traditës “letrare hasjane” si do të shprehej Dh. S. Shuteriqi. Në këtë traditë do të hynin Pal Hasi, Pjetër Mazreku, Andre, Pjetër e Lukë Bogdani. Vepra e Atë Shtjefën Gjeçovit, si ndërlidhëse brenda një aktiviteti letrar dhe brenda traditës hasjane, historikisht, si do të shprehej edhe I. Rugova, mund të konsiderohet sintezë e përgjithshme e përpjekjeve shekullore, por edhe si kurorëzim i një literature me orientim thjeshtë evropian.

NJË ROMAN PAK I NJOHUR I GJEÇOV-KRYEZIUT

Dhe si e tillë, kjo vepër, edhe pse e papërfunduar, do të mbetet gur i çmueshëm në letërsinë kishtare shqiptare.