Një paralajmërim i keq/ Gremina financiare e Shqipërisë nga energjia dhe koncesionet 

20 Nëntor 2019

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim bën parashikimin më të zymtë sa i takon zgjerimit të ekonomisë shqiptare për 2019. Në raportin tranzitor 2019-2020, BERZH thotë se rritja do të jetë vetëm me 2.8 për qind, një diferencë me 0.6 pikë përqindjeje në krahasim me parashikimin e Qeverisë shqiptare. BERZH identifikon edhe shkakun kryesor të kësaj rënieje.

“Në 2018 ekonomia pati një rritje prej 4.1 për qind. Por, në gjysmën e parë të 2019 ajo u ndal në 2.4 për qind. Shkaku kryesor ishte rënia e prodhimit të energjisë elektrike”, thotë BERZH.

Raporti nuk është përfundimtar dhe po aty BERZH thekson se borxhi publik mbi 68 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pa llogaritur këtu kontratat e dhëna sipas skemës partneritet publik-privat. Sistemi bankar vlerësohet si i konsoliduar megjithëse theksohet se gjithnjë e më shumë po pakësohen bankat nga vendet e Eurozonës, që po zëvendësohen me bankat vendase dhe të tjera jo nga vendet e BE-së.

Për 2020, BERZH këshillon tre prioritete. I pari lidhet me luftën kundër informalitetit dhe thjeshtimin e sistemit të taksimit. “Informaliteti mbetet një prej pengesave kryesore për të bërë biznes dhe masa të tjera nevojiten. Mes këtyre masave duhet të jetë edhe një sistem taksash dhe procedurash i thjshtë dhe përforcim i kapaciteteve inspektuese, si dhe lufta ndaj korrpsioni në administratën publike”, nënvizon BERZH.

Prioriteti i dytë lidhet me përmirësimin e standardeve fiskale dhe të mirëqeverisjes. “Me urgjencë duhet të trajtohet përmirësimi i mënyrës së dhënies së PPP-ve dhe forcimi i institucioneve dhe i shtetit të së drejtës. Gjithashtu, burimet e energjisë duhet të diversifikohen për të shkëputur varësinë e madhe që ka vendi nga energjia e prodhuar nga hidrocentralet”, shtohet në raport.

Këtu, BERZH përmend faktin se pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve ndërkombëtare, Qeveria vazhdoi përpara me koncesionet sipas skemës partneritet publik-privat, ku përmend nominalisht koncesionet Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara.

“Koncesione të mëdha sipas skemës PPP vazhdojnë të jepen, sidomos në sektorin e rrugëve (si shembull Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara), pa patur një analizë të mjaftueshme kosto-përfitim dhe pa garë. Kjo rrit koston social dhe ekspozon Qeverinë përballë risqeve të zbatimit të këtyre projekteve, nisur nga kapacitetet financiare të kompanive fituese

Banka ka paralajmëruar se këto projekte mund të kenë kosto sociale, ekspozojnë qeverinë ndaj rreziqeve dhe për më tepër u janë dhënë pa konkurrencë firmave që kanë kapacitete të ulëta financiare, në raport me madhësinë e projektit.

“Mungesojnë të dhënat e përgjithshme dhe situata financiare e ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”, tha Banka. Sfida e tretë lidhet me sektorin bankar.

“Sektori bankar mbetet i qëndrueshëm, por ka disa sfida të rëndësishme, përfshirë huadhënien relativisht të ulët në cilësi dhe sasi, ekspozimi i lartë ndaj borxhit sovran dhe varësia e madhe nga euro”, vëren BERZH.

Sa i takon rritjes ekonomike, me ulje e rishikuan parashikimin për 2019 edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN u tregua më optimiste duke e vlerësuar në 3 për qind, ndërsa BB në 2.9 për qind. Ndërkohë, gjatë diskutimeve për ndryshimet në buxhetin 2019 në fillim të nëntorit, Qeveria e uli parashikimin nga 4.3 për qind në 3.4 për qind.

©Copyright Gazeta SHQIP