29 Dhjetor 2022

Serbët në veri të Kosovës kanë nisur heqjen e barrikadave, duke liruar rrugët e bllokuara.

Mësohet se fillimisht është hapur pika kufitare në Merdare, teksa pritet heqja e bllokadave dhe në pikat e tjera ku ato ishin ngritur.

Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e djeshme, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.

Pantiç u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa me atë të arrestit shtëpiak.

Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gazeta Shqip